Bajqinovci- Kuqit: Çfarë oferte do t'i bëni Devollit tash

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mefail Bajqinovci në seancën e Kuvendit në të cilën po debatohet rreth gjendjes në Telekomit të Kosovës, ka ngritur dyshime se Qeveria po planifikon që të bëjnë “hisedar”, Devollët në Telekomin e Kosovës.

“Telekomi është dhunuar në arbitrazh dhe nuk kemi se çfarë të shtojmë dhe dëmi që po i furohet çdo ditë, qeveria po e bënë një far marrveshje me të që prapë ndoshta të bëjë hisedar Devollin, prandaj ministër Blerim Kuqi, cila është oferta që do të ja bëni Devollit tash, kjo është pyetja sepse po flitet se për me i la këto 26 milion, ta bëni hisedar aty, nëse është e vërtetë ju lutem na thoni”, u shpreh Bajqinovci.

Për këto i është përgjigjur ministri Kuqi duke filluar përgjigjen e tij “Zotëri Bajqinovci, më dhatë një mesazh për trimëri por ta dish që Dardafonët dhe Bajqinovcët i kam kaluar moti”.

“Prita së paku të më jepni një rekomandim për zgjedhje, e keni pas rastin e bërë zgjedhje nuk e keni bërë, me fol është kollaj me kundërshtu është kollaj por kundërshtimi është gradë e ulët e inteligjencës, e për trimëri hajde kur dush”, u shpreh Kuqi.

Kuvendi i Kosovës këtë pasdite ka nisur debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.

Gjatë ditës, Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.