Bahtiri vizitoi shkollat e mesme në Mitrovicë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës  Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Egzon Jashari, sot kanë vizituar disa shkolla të kësaj komune

Ata fillimisht vizituan gjimnazin “Frang Bardhi”, pastaj ekonomiken “Hasan Prishtina” dhe mjekësinë “Xheladin Deda” për tu njoftuar rreth procesit të pranimit të nxënësve dhe përgatitjeve të bëra për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në gjimnazin “Frang Bardhi”, Bahtiri është pritur nga drejtoresha e kësaj shkolle, Zybejde Gogoli- Latifi, dhe stafi mësimor, thuhet në një njoftim të komunës së Mitrovicës.

Me këtë rast kryetari Bahtiri përgëzoi drejtoreshën dhe stafin arsimor për punën intensive dhe të palodhshme për mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit të nxënësve sipas kritereve të parapara nga MASHT-i.

“E keni mbështetjen time plotësisht drejtoreshë që të vazhdoni më tutje për punën e filluar dhe përkushtimin tuaj, në zbatimin dhe respektimin e kritereve, dhe asesi të mos lejohet ndonjë ndikim nga jashtë në pranimin e nxënësve. Sepse vetëm në këtë mënyrë do të përmirësohet gjendja në arsim që të jetë sa më cilësore dhe produktive”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa drejtoresha, Zybejde Gogoli – Latifi, falënderoi kryetarin Bahtiri për vizitën dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për të siguruar një arsim sa më cilësor për nxënësit tanë.

“Gjimnazi ka një numër të madh të nxënësve dhe për këtë vit ka pasur shumë të interesuar për regjistrim. Procesi i regjistrimit të nxënësve ka ecur mirë duke u bazuar në kriteret e përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe ne shpresojmë se do të kemi mbështetjen e juaj në mënyrë që të kemi kushte edhe më të mira për punë”, tha ndër të tjerash drejtoresha Gogoli- Latifi.

Edhe drejtori i Arsimit, Egzon Jashari ka uruar drejtoreshën dhe stafin mësimor me rastin e fillimit të viti të ri shkollor. Ai tha se në vazhdimësi gjendja në arsim është duke u përmirësuar, duke shtuar se ende ka vështirësi, por që Drejtoria Komunale e Arsimit do të punoj për tejkalimin e tyre me sukses.

Kryetari Bahtiri ka vazhduar vizitën edhe në shkollën ekonomike “Hasan Prishtina” dhe atë të mjekësisë “Xheladin Deda”, ku për mbarëvajtjen e procesit mësimor është njoftuar nga drejtorët, Abdullah Bejtullahu dhe Gani Rama, të cilët prezantuan hapat e ndërmarr për përgatitjet e fillimit të mbarë të vitit shkollor, duke theksuar që gjithçka ka shkuar sipas planit dhe mësimi ka filluar pa probleme