Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bahtiri shkarkon drejtoreshën e Mirëqenies Sociale
Nazan Kërveshi, drejtoreshë e Drejtorisë së Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Mitrovicës është shkarkuar sot nga detyra e saj.
Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se sot gjatë mbledhjes se bordit të drejtorëve kishte një përplasje ndërmjet kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe tashmë ish-drejtoreshës Kërveshi rreth mospërfundimit të projektit të shtëpive që po ndërtohen në Frashër për skamnorë nga “Qatar Charity” dhe “Jetimat e Ballkanit”.
Tutje burimi ka shtuar se arsye e shkarkimit është neglizhenca në kryerjen e projektit nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale, e cila kishte qenë përgjegjëse e projektit.
Pas kësaj, Kërveshi ishte shkarkuar nga detyra dhe pas kësaj ajo kishte lëshuar sallën e mbledhjes, raporton KALLXO.com.
Po ashtu, KALLXO.com merr vesh se Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, parti të cilës edhe i takon Kërveshi, ka aprovuar shkarkimin e saj.
Në lidhje me këto zhvillime KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë kryetarin Bahtiri dhe drejtoreshën e shkarkuar, por ata kanë qenë të paqasshëm.