Agim Bahtiri - Foto: Facebook

Bahtiri - Qeverisë: Mos e kufizoni lëvizjen në Mitrovicë, nuk menaxhohet COVID-19 me këtë masë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar pas raportimeve se Qeveria e Kosovës sonte në mbledhjen e saj do të vendos për kufizimin e lëvizjes nga ora 21:00 edhe në Mitrovicë.

Bahtiri ka deklaruar se ky kufizim është shqetësues për qytetarët dhe ka kërkuar nga ekzekutivi që mos ta marrë vendim për vendosjen e kësaj mase, pasi që sipas tij, situata me COVID-19 nuk mund të menaxhohet me këtë masë.

“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që mos ta marrë vendim për vendosjen e kësaj mase, sepse situata me COVID-19 nuk mund të menaxhohet me këtë masë. Unë i respektoj rekomandinet e IKShP-së kurdo që ato janë zyrtare, mirëpo kufizime të tilla për qytetarët e Mitrovicës nuk mund të merren pa u konsultuar me mua si kryetar komune. Çdo kryetar komune e njeh situatën në të cilën ndodhen qytetarët e tij, dhe kryetari duhet ta jep pëlqimin përfundimtar”, ka shkruar i pari i Mitrovicës së Jugut.

Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte marrë vendim që në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri të ndalohet lëvizja nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.