Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bahtiri për vendimin e Lladrovcit: Budallaki që dikush mendon me ua ndalu zyrtarëve pjesëmarrjen në fushatë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, nuk po pajtohet me vendimin e homologut të tij nga Drenasi, Ramiz Lladrovci për ndalimin e të gjithë drejtorëve të shkollave që të marrin pjesë në aktivitete partiake para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Bahtiri në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se si kreu i Komunës, nuk ka të drejtë t’ia mohoj zyrtarëve të tij pjesëmarrjen nëpër aktivitete politike, pas orarit të punës.

Ai e quan edhe “budallaki nëse dikush mendon” që mund t’ia ndalon dikujt lirinë e lëvizjes.

“Nuk e kam mendu këtë. Nuk mundesh me ja mohu të drejtën e askujt që me ja ndalu lirinë e lëvizjes secilit drejtor apo zyrtari. Jashtë orarit unë nuk ja ndal absolut, nuk muj se nuk e kam të drejtën. Cila është e drejta e kryetarit që me ja ndalu një drejtori apo një udhëheqësi të një sektori lëvizjen e lirë në vende ku don më shku. Budallaki është në qoftë se mendon dikush ashtu. Gjatë orarit të punës, asnjë zyrtar i imi nuk guxon me shku në fushatë. Por, pas orës 16:00 janë të lirë”, tha Bahtiri.

KALLXO.com raportoi të premten se drejtoria e Arsimit në Komunën e Drenasit, ua ka ndaluar të gjithë drejtorëve të shkollave që të marrin pjesë në aktivitete partiake para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas një email-i të siguruar nga KALLXO.com, drejtori i Arsimit, Muhamet Gjokaj është thirrur në legjislacionin për zyrtar publik.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin Gjokaj i cili konfirmoi se iu kanë kërkuar drejtorëve që të mos marrin pjesë fare në mënyrë që sistemi arsimor mos të ketë ngjyrime politike.

“I kam njoftu iu ndalohet edhe para fushate dhe gjatë fushatës, që me pas edhe kujdes me marr pjesë në aktivitete zgjedhore. Deri sa të kryhet gjithë procesi të jemi në rregull. Na ua kemi kërku, tash përgjegjësia është individuale, shpresoj që edhe kanë me respektu. Secili e ka një bindje politike na nuk mundemi me ua ndalu atë, po duhet me pas kujdes se nuk iu lejohet, cilësdo parti qoftë. Kjo është bërë mos t’i dhënë ngjyrime politike sistemit arsimor, me kërkesë edhe të kryetarit dhe në koordinim me ne. Na nuk e kemi cek (orarin), po kjo po i bjen që edhe pas orarit të punës, përgjegjësia mbetet individuale, por ne zyrtarisht u kemi kërku që mos me marr pjesë”, tha drejtori.

Mirëpo, në bazë të Ligjit për Zyrtarë Publik, konkretisht neni 22 paragrafi 1, zyrtari publik ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitete politike vetëm jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë ambienteve të institucioneve publike.

Drejtorët e shkollës si zyrtarë publik kanë të drejtë të marrin pjesë në aktivitete politike, vetëm jashtë orarit të punës.