Agim Bahtiri, AKR, Mitrovicë. Foto: Kallxo.com

Bahtiri: Nuk ka asnjë të prekur nga coronavirusi në Mitrovicë

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri demanton raportimet e sotme nga disa portale në Mitrovicë, se sot janë dyshuar dy persona me coronavirus.

Bahtiri përmes rrjetit të tij Facebook ka njoftuar se nuk ka asnjë rast të konfirmuar me coronavirus në komunën e Mitrovicës.

“Deri në këtë moment nuk ka asnjë person të dyshuar me coronavirus COVID-19 në Mitrovicë, sikur që dihet se nuk ka edhe asnjë person të infektuar të verifikuar. Të gjitha raportimet e ndryshe janë të pasakta”, ka shkruar Bahtiri.

“I ftoj qytetarët të vazhdojnë t’iu përmbahen udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ashtu siç janë treguar shembullor deri më sot në zbatim të të gjitha udhëzimeve shtetërore”, ka shkruar ai.

Deri më tani numri ka shkuar në 20 të rezultuar pozitiv me coronavirus në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njoftoi sot se rasti i konfirmuar është rast kontakti nga fshati Bradash i Podujevës, një grua 55 vjeçare.