Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bahtiri-Lushtakut: Nuk je njeri i fjalës, ma patët premtuar krejt pasurinë nëse rizgjidhem kryetar

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri i ka reaguar ish- kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut në lidhje me intervistën e djeshme në Kallxo Pernime.

Lushtaku në intervistën përballë Jeta Xharrës tha se Agim Bahtiri është një “mashtrues”.

“Nga ana jonë thonë, pa të rrejtë Agimi, nuk e di çka është rrena”, tha mbrëmë Lushtaku.

Ndërkohë, Bahtiri ka reaguar në Facebook-un e tij duke thënë se  në 2013-tën kur kishte vendosur që të kandidonte për Kryetar të Mitrovicës, pasi që kryetar i vërtetë i saj nuk kishte qenë Avni Kastrati por Sami Lushtaku.

“Asokohe, Samiu ishte mësuar më i hap dyert e kKmunës së Mitrovicës me shkelm, ndërsa që nga viti 2013 së pari duhet me marrë leje e pastaj sikurse secili qytetarë, edhe ai mund ta vizitojë komunën që unë e udhëheqi”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Bahtiri thotë se Lushtaku është i mbushur mllef sepse ka pësuar humbje në vazhdimësi.

“Sami, unë e kuptoj mllefin tënd, sepse duke qenë kryetar i tri komunave, fillimisht e ke humbur Mitrovicën, pastaj ortaku i humbjeve për ty ka vazhduar edhe në Skenderaj dhe Vushtrri. Por humbjet për ty kanë vazhduar edhe më shumë, sepse tash ‘brryl’ ta ka bërë edhe Ramiz Lladrovci. Sami, ti je pensionuar nga politika, sa më parë që e kupton, aq ma me lehtësi e kalon mllefin. Sami, asnjëherë ty e as askënd nuk e kam gënjyer, sepse gjithmonë e them të vërtetën”, shkruan Bahtiri.

Bahtiri po ashtu ka thënë se Sami Lushtaku nuk e ka mbajtur fjalën. Ai tha se Lushtaku kishte premtuar që nëse Bahtiri e fiton mandatin e dytë, ai do t’ia falte krejt pasurinë.

“Nuk ta kam permendur më herët, por pasi që po merresh me mua, po ta përmendi. Ju nuk jeni njeri i fjalës, sepse sikur të ishit do ta paguanit kushtin që e ke humbur, kur keni thënë në prani edhe të djalit tuaj para zgjedhjeve të 2017-tës se nëse unë fitoj garën për kryetar komune, atëherë do të ma jepni krejt pasurinë”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Intervistën e plotë të Lushtakut mund ta ndiqni më poshtë: