Agim Bahtiri

Bahtiri kundër dekretit të presidentit Thaçi

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj propozimit të  presidentit Hashim Thaçi, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Bahtiri, propozimin e presidentit të vendit e ka quajtur ego të tij personale.

“Propozimi i presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nuk është asgjë më shumë se sa një ego e tij personale e sëmurë për të qenë protagonist i ngjarjeve, edhe kur ato janë të dhimbshme për shtetin”, ka thënë Bahtiri.

Ai në postimin e tij ka shkruar se nuk duhet të aprovohet dekreti i tij pasi sipas tij viruset ngjitëse nuk luftohen me ushtri por me mjekësi.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri:

“Kuvendi i Kosovës nuk duhet assesi ta aprovoj kërkesën e tij, sepse nuk është e nevojshme për momentin, pasi që Qeveria e Kosovës i ka marrë krejt masat mbrojtëse të mundshme në kohë.

Nuk luftohen viruset ngjitëse me ushtri, por me mjekësi. Presidenti duke e shpall gjendjen e jashtëzakonshme po dëshiron marrje të pushtetit në Kosovë dhe njëkohësisht edhe marrjen e kompetencave të Qeverisë, duke synuar në fund edhe masakrimin e buxhetit të shtetit, të cilin ai së bashku me argatët e tij në mandatin e kaluar qeveritar i kishin shpenzuar të gjitha rezervat shtetërore.

Qeveria e Kosovës po bën një punë shumë të mirë brenda kapaciteteve që i ka Kosova dhe jemi shembull për marrjen e masave preventive, andaj të gjithë partnerët e koalicionit duhet të jemi unik dhe mos t’ia rikthejmë me dekret Thaçit dhe argatëve të tij pushtetin e humbur me 6 tetor.

Po ashtu, asnjë ministër nuk duhet ta nënvlerësoj punën e tij, duke iu ikur përgjegjësive”.