Agim Bahtiri - Foto: Facebook

Bahtiri kërkon zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit në të gjitha subjektet afariste

Kryetari i komunës së Mitrovicës në mbledhjen e bordit të drejtorëve ka kërkuar që të zbatohet ligji mbi duhanin nga të gjitha subjektet afariste në territorin e komunës.

Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të qytetarëve, Bahtiri ka kërkuar nga Drejtoria e Inspeksionit të zbatojnë Ligjin për Kontroll të Duhanit në të gjitha subjektet afariste.

Tutje, sipas njoftimit të Komunës, nëse nuk zbatohet ky ligj do të merren masa ndëshkuese përmes shqiptimit të gjobave.

Në këtë mbledhje janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.

Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me inkasimin e të hyrave vetanake për vitin 2019, me ç’ rast krahasuar me vitin 2018, Komuna, sipas tij, ka pasur rritje prej 15,2% (apo 304,189.32 euro), ndërsa sa i përket planifikimit për vitin 2019, ka arritur t’i realizojë 93,56% të planifikimit apo ka inkasuar 2,305,615.56 euro, ndërkaq inkasimi i të hyrave vetanake në vitin 2018 ishte 2,001,426.24 euro.

Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, njoftoi bordin lidhur me inspektimet e inspektorëve komunalë në lirimin e hapësirave publike të datës 11.01.2020, si dhe më 12.01.2020 inspektimin e subjekteve afariste lidhur me vendimin për respektim të orarit të punës.

Kurse drejtori për Arsim, Egzon Jashari, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet adekuate për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë për institucionet edukativo-arsimore.