Bahtiri kërkon që Policia e Kosovës të kujdesen për shqiptarët në veri

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka reaguar pas situatës që është në veri të vendit për shkak të aksionit të policisë kundër kontrabandës.

Bahtiri përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga qytetarët e Mitrovicës qetësi dhe maturi.

Kërkoj nga qytetarët e Mitrovicës qetësi dhe maturi, në mënyrë që të mos bien në grackën e strukturave kriminale serbe në komunën e veriut. Vetëm duke i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, mund t’i shërbejnë shtetit tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje Bahtiri ka kërkuar nga Policia që të kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në komunën veriore të Mitrovicës.

Qytetarët serbë në formë revolte po vazhdojnë të mbajnë rrugët e bllokuara me mjete të rënda, edhe pse aksioni në këtë pjesë ka përfunduar.

Gjatë aksionit, policia ishte penguar nga banorët serbë të kësaj ane dhe është dashur të përdorin gazlotsjellës dhe të ndërhyjnë me autoblinda.

Një situatë tensionuse pas kësaj është duke mbizotëruar edhe në Zveçan sipas informatave të KALLXO.com.

Aksioni policor, që filloi sot është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës.

Tensionet në veri – Ekipet e gazetarëve sulmohen me gurë e molotov – Pamje