Bahtiri kërkon që edhe Mitrovica të futet në karantinë

Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që edhe qyteti i Mitrovicës të futet në karantinë.

Këtë kërkesë Bahtiri e ka bërë si masë parandaluese pasi që në të gjitha komunat përreth asaj të Mitrovicës ka të infektuar me COVID-19.

Bahtiri ka treguar se 11 testet e dërguara për analiza kanë rezultuar negativ me COVID-19.

Ky është postimi i plotë i Bahtirit:

Nga 11 raste prej Mitrovicës që janë derguan dje për testim nga koronavirusi COVID-19, fatmirësisht të gjitha kanë rezultuar negativ. Pas Vushtrrisë, Zveçanit, komunës veriore të Mitrovicës, nga dje Mitrovica jugut kufizohet edhe me e Skenderajn si të komunë ku janë evidentuar raste me covid-19.

Për shkak të kësaj situate që gjendemi të rrethuara me komuna ku ka shumë raste me COVID-19, për ta mbrojtur edhe më shumë qytetin tonë kërkoj urgjentisht nga Ministri i Ministrisë së Shëndetisë, z. Arben Vitia që të merr vendim për ta aplikuar masën e karantinimit edhe për qytetin e Mitrovicës.

I lus qytetarët e Mitrovicës të qendrojnë të qetë në shtëpitë e tyre dhe t’i zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.