Bahtiri kërkon lëvizje të lirë në fshatrat me shumicë shqiptare në Mitrovicën e Veriut

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri thotë se ka kërkuar që fshatrat me shumicë shqiptare në komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviç dhe Zveçan.

Ai tha se po bën përpjekje që këto fshatra të mos afektohen nga masa e izolimit të komunave në veri të Kosovës.

“Duke qenë pjesë e Mitrovicës së jugut, jam në biseda të pandërprera direkte me Qeverinë e Republikës së Kosovës që Suhodolli, Gushavci, Vinarci, Vidimriqi dhe Lagja e Doktorëve të kenë qarkullim të lirë dhe të mos preken as direkt e as indirekt nga masat e marra për kufizimin e lëvizjes në Mitrovicën e veriut”, shkroi Bahtiri.

Ai kërkoi nga banorët e këtyre fshatrave të qendrojnë të qetë dhe t’i japin pak kohë.

“Jam në koordinim të plotë me organet qendrore për adresimin e shqetësimeve e tyre, që janë edhe shqetësim i imi. Si kryetar do të kujdesem që shqiptarëve të cilët jetojnë në pjesën veriore, të mos iu mungojnë artikujt ushqimorë e as kujdesi mjekësor, për aq sa është e nevojshme dhe domosdoshme”, tha Bahtiri.

Dje, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani janë vendosur në karantinë për shkak të rasteve të reja që kanë rezultuar pozitiv me ckoronavirus.

Lidhur me këtë, ministrat nga qeveria Kurti thanë se izolimi u bë me vendim të institucioneve të Kosovës ndërsa opozita dhe vetë Presidenti i vendit kritikuan qeverinë se nuk ka shtrirë kontroll në komunat e veriut të banuara me shumicë serbe.