Bahtiri kërkon funksionalizimin e Qendrës për pajisje me dokumente

Ministria e Punëve të Brendshme nga dita e sotme ka mbyllur Qendrën për pajisje me dokumente në Mitrovicë.

Kjo ka ndodhur për shkak se një zyrtar i kësaj Qendre ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Ndërsa kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pas njoftimi që ka marrë nga MPB, ka kërkuar nga Ministria të bëjë funksionale këtë Qendër.

“Qendra për Pajisje me Dokumente në Komunën e Mitrovicës që nga java e kaluar ka dhënë shërbime edhe për vula apostile/ verifikuese, jo vetëm për qytetarët mitrovicas, por edhe për qytetarët e rajonit, prandaj është më se e rëndësishme që kjo qendër të bëhet urgjentisht funksionale“ , thuhet në njoftimin e kësaj Komune.

Bahtiri ka kërkuar nga Ministria që të angazhohet staf shtesë që kjo Qendër të hapet pasi që është shumë e nevojshme që qytetarët të marrin shërbimet që u duhen për dokumente të identifikimit si dhe vulë apostile/verifikuese, thuhet tutje në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Përmes vendimit të marrë sot Qeveria e Kosovës ka kufizuar lëvizjen e qytetarëve edhe në katër komuna tjera: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Shtërpcë dhe Fushë-Kosovë.

Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarëve të këtyre komunave u ndalohet të dalin pa arsye pas orës 21:00  e deri në 5:00 në mëngjes.