Agim Bahtiri - Foto: Facebook

Bahtiri: Kam pritur që Thaçi të bënte kallëzim penal ndaj Dick Martyt, e jo ndaj meje

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se është i befasuar me kallëzimin penal të cilin presidenti i vendit Hashim Thaçi e ka bërë ndaj tij.

Ai ka thënë se ka pritur nga Thaçi që këtë ta bënte dikur ndaj ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty.

“Jam i befasuar me veprimin e bërë presidenti Thaçi, pasi që unë kam prit se ai do t’i bënte kallëzim penal Dick Martyt, e jo mua. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam kërcënuar askënd personalisht, e aq më pak familjen e askujt. Unë jam i gatshëm 24 orë në ditë që t’i jepi sqarime organeve të drejtësisë, pavarësisht se një herë veçse kam dhënë deklaratë”, ka thënë Bahtiri përmes Facebook.

Bahtiri është zotuar që në këtë kohë të pandemisë do të fokusohet tek jeta e qytetarëve duke sugjeruar te njëtën gjë edhe për ata të cilës sipas tij po merren me ‘ndryshimin’ e kontekstit të deklaratave.

“Pavarësisht kësaj, unë po vazhdoj angazhimin e tim të pandërprerë për t’ju qëndruar pranë qytetarëve të Mitrovicës në këtë kohë të vështirë që po kalon bota me pandeminë e koronavirusit COVID-19. Gjithë angazhimi im do të jetë i fokusuar në lehtësimin e jetesës së qytetarëve, ndërsa atyre që merren me ndryshim të kontekstit të deklaratave të mia, ju them që është më mirë që këtë energji negative ta shndërroni në energji pozitive për Kosovën”, ka shkruar tutje ai.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit kundër kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirit për deklaratën e tij për ‘vëllavrasjen’.

Më datën 30 mars 2020, Agim Bahtiri kishte deklaruar se nuk do ta lëshojnë Qeverinë pa zgjedhje, duke përmendur edhe vëllavrasjen.

Po atë ditë Prokuroria e Mitrovicës ka intervistuar kryetarin Bahtiri për shkak se i njëjti dyshohet se bëri nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.