Agim Bahtiri - Foto: Facebook

Bahtiri: Edhe pjesa tjetër e drejtuesve të LDK-së të jenë konstruktivë sikurse Vjosa Osmani

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se LDK-ja duhet sa më parë të pajtohet me lidhjen e koalicionit me LVV-në, pasi sipas tij duhet çuar në vend vullnetin e qytetarëve për ndryshim të shprehur përmes votës së lirë më 6 tetor.

Bahtiri përmes një postimi në Facebook, ka lavdëruar kandidaten për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani për qasjen ndaj LVV-së, e cila dje i kishte reaguar bashkëpartiakut tw tij, Agim Veliu.

“Edhe pjesa tjetër e drejtuesve të LDK-së bëjnë mirë të jenë konstruktiv sikurse Vjosa Osmani, e cila po punon për ta jetësuar marrëveshjen e koalicionit për krijimin e qeverisë Kurti”, ka thënë ai.

Agim Veliu: Përpjekjet e Vetëvendosjes janë për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar LDK-në

Kryetari i Mitrovicës ka shtuar se posti i kryeparlamentarit është punë e kryer dhe këtë e ka votuar edhe LDK.

“Tashmë është fakt i kryer posti i kryeparlamentarit, të cilin vet LDK-ja e ka votuar dhe çdo kërkesë në këtë drejtim do të pengon seriozisht çfardo bashkëpunimin”, ka thënë në fund Bahtiri.

Kanë kaluar 100 ditë që prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë dhe dy partitë e para, LVV dhe LDK ende nuk po munden që ta arrijnë një marrëveshje.

Nga takimet e fundit, në publik kanë rrjedhur edhe propozimet për formimin e ekzekutivit kosovar. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dy formula të ndryshme për ndarjen e posteve shtetërore.

Partia e Albin Kurtit ka propozuar formulë për krijimin e qeverisë së re. Sipas LVV-së, përveç pozitës së Kryeministrit, numri i ministrive duhet të shtohet nga 12 në 14 sosh, ndërsa 5 ministri t’i takojnë VV-së e 6 LDK-së.

Sipas propozimit, zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, zëvendëskryeministri i dytë LVV-së ndërsa kanë propozuar edhe një formulim për pozitën e shefit të shtetit. Nga ana tjetër, LDK ka bërë një ofertë, ndonëse ajo doli e dyta në zgjedhje.

Partia e Isa Mustafës ka kërkuar zëvendëskryeministrin e parë, nga 5 ministri ndërsa kanë propozuar edhe një formulë të re për postin e të parit të Kuvendit të Kosovës dhe Presidentit të vendit.