
Foto: Humanium
Babai vret të bijën në Pakistan shkaku i videove në TikTok
Një burrë, i cili kohët e fundit e ktheu familjen në Pakistan nga Shtetet e Bashkuara, ka rrëfyer se ka vrarë të bijën e tij adoleshente, sepse nuk i pëlqenin videot e saj në TikTok – ka konfirmuar Policia pakistaneze për televizionin britanik BBC.
Anwar ul-Haq akuzohet për vrasje, pasi pranoi se të martën, më 28.01.2025, e qëlloi për vdekje të bijën Hira në qytetin jugperëndimor Quetta. Ai u deklaroi fillimisht hetuesve se vrasjen e kishin kryer burra të paidentifikuar.
Babai, i cili ka nënshtetësi amerikane, ka thënë se ishte kundër postimeve të së bijës.
Policia ka bërë të ditur se po e heton rastin në të gjitha pistat e mundshme – duke përfshirë mundësinë e një vrasjeje nderi, e cila nuk është e pazakontë në vend.
Qindra njerëz – shumica prej tyre gra – vdesin shkaku i të ashtuquajturave vrasje nderi në Pakistan çdo vit – thonë grupet për të drejtat e njeriut. Këto vrasje kryhen zakonisht nga të afërm, të cilët thonë se po veprojnë në mbrojtje të nderit të familjes.
Në rastin e Hira Anwarit, e cila ishte ndërmjet 13 dhe 14 vjeç, një zëdhënës i Policisë ka thënë se familja e saj “kundërshtonte veshjen, stilin e jetesës dhe ndejat e saj shoqërore “.
Familja jetoi në Shtetet e Bashkuara 25 vjet dhe Hira filloi të postonte përmbajtje në TikTok edhe para se me familje të kthehej në Pakistan.
Hetuesit kanë thënë se kanë celularin e viktimës, por që është i kyçur.
Në lidhje me vrasjen u arrestua edhe dhëndri i babait të saj – ka njoftuar Policia
Nëse zbulohet se është vrasje nderi dhe të akuzuarit shpallen fajtorë do të përballen me dënim të detyrueshëm të përjetshëm – një ndryshim i bërë në Ligj nga Qeveria e Pakistanit, në vitin 2016. Më parë, fajtorët mund t’i shmangeshin dënimit me burg, nëse faleshin nga familja e viktimës.
Në vitin 2023, një Gjykatë italiane dënoi një çift pakistanez me burgim të përjetshëm për vrasjen e vajzës së tyre 18-vjeçare, sepse ajo refuzoi një martesë të padëshiruar.
Një vit më parë vëllai i yllit pakistanez të mediave sociale, Qandeel Baloch u lirua nga akuza për vrasjen e saj. Pas Ankesës në apel ai më herët ishte dënuar me burgim të përjetshëm, pasi pranoi vrasjen e vitit 2016 – duke thënë se kjo ishte për shkak se ylli e kishte turpëruar familjen.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com