Selami Sadriu nga fshati Sllubicë e Gjilanit

Babai kërkon ta dijë kush ia vrau djalin në mal para 7 viteve (VIDEO)

Selami Sadriu nga fshati Sllubicë e Gjilanit qe shtatë vjet është duke trokitur në dyert e Prokurorisë dhe Policisë për të kërkuar që hetuesia ta zbardhë rastin e vrasjes së djalit të tij.

 

Ai po kërkon nga shteti të dijë se kush dhe pse ia vrau djalin, Shabanin.

Shaban Sadriu ishte 17 vjeçar kur u sulmua me armë zjarri një natë gushti të vitit 2012 në rrethana ende të pa sqaruara nga Policia e Prokuroria e Gjilanit. Këto institucione nuk ia kanë dalë deri tani që ta zbardhin rastin e plagosjes së Shaban Sadriut i cili vdiq disa ditë pasi u sulmua me armë zjarri në afërsi të fshatit të tij.

“Krejt këto çka po i them i kam dhanë dyshimet çka janë, ma tepër nuk kam dyshuar e tash ju e keni përgjegjësinë, i kam thanë Policisë dhe Prokurorisë. I kanë marrë incizimet krejt çka kanë bërë rreth asaj nuk kane dhanë informata send hiç, kënd e kanë marrë nuk më kanë thanë send, vetëm e di që më ka thanë prokuroria që nuk ka hetim ndaj kësaj po hetimet vazhdojnë. Unë nuk dua ‘hetimet vazhdojnë’, hetime u ngopa por dua zbardhen e rastit të djalit”, thotë Selami Sadriu për KALLXO.com.

Ditën kritike, Shabani kishte shkuar bashkë me babai n e tij në një pyll të huaj për të marrë dru të cilat dikush i kishte prerë dhe i kishte lënë për t’i marrë me pas. Selamiu e kishte lënë djalin të presë në kamionin e tij disa metra me larg nga vendi ku ishin drutë e prerë.

Ai kishte dëgjuar krismat por nuk e kishte ditur se dikush shtiu në djalin e tij. Këtë e kishte kuptuar kur i biri nuk ishte lajmëruar në telefon. Ai për KALLXO.com rrëfen momentin se si e gjeti të plagosur djalin e tij rreth orës 22:00.

“Kamionin e kam gjetur të ndalur me gjithë djalë të plagosur. Është gjuajtur në këtë kthesë dhe ka ardhur dhe këtu është ndalur kamioni. Ne kemi ardhur prej asaj ane dhe e kam gjetur djalin në kamion të alivanosur, kokën nga dritarja nga na e derës dhe i kishte zënë kumbët me derë dhe kokën jashtë xhamit. Nuk ishte i kthyer nga timoni dhe i rridhte gjak nga koka dhe e kam humbur kontrollin”, theksoi Sadriu.

Shabani vdiq 100 ditë pas sulmit, pas një trajtimi intensiv në QKUK të Prishtinës. Ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra në kokë nga arma automatike.

“Djali pas plagosjes ka jetuar 100 ditë dhe ka vdekur ne spitalin e infektivës në Prishtinë, një plagë e ka pasur në kokë dhe dy plagë në mushkri në bazë te incizimeve që na i ka tregu mjeku dhe na ka thanë mjeku se djali ishte edhe i rrahur”, potencon Sadriu.

Sulmuesit e djalit të tij ende nuk dihen dhe kjo po e pamundëson edhe zbardhjen e rrethanave të cilat çuan sulmuesit që të shtinë në të.

“Çka është rasti a ka zbulim diçka rreth ngjarjes a jo ma kanë thanë jemi duke e hulumtuar jemi duke e kërkuar një ekspert përreth kësaj ngjarje me gjet ketë hulumtim”, tregon Sadriu fjalët e marra nga takimi i tij i fundit në prokuroi disa ditë me parë.

Prokuroria e Gjilanit ka thënë për KALLXO.com se ende nuk është gjetur kryerësi apo kryerësit që kishin shtënë me armë zjarri në Shaban Sadriun natën e 6 gushtit të vitit 2012.