Muhabi Osmani - babai i të ndjerës, Marigona Osmani | Foto: RTV Dukagjini

Babai i Marigona Osmanit: Në qoftë se Marigona do të jepte shenjë unë do ta kisha zgjidhur problemin

Në gusht të vitit 2021, vajzës nga Ferizaj, Marigona Osmanit iu shua jeta. Babai i së ndjerës Muhabi Osmani, duke shpalosur rrëfimin për betejën më të vështirë të jetës së tij, humbjen e vajzës, u shpreh se e ndjera ka qenë një vajzë e qetë, e urtë dhe e dëgjueshme. Sipas tij, e ndjera Marigona, mund të ketë qenë e kërcënuar, sepse nuk ka treguar asnjëherë asgjë për gjendjen e saj.

Në Shëngjin kishin qëndruar rreth 3-4 orë, në një bisedë me Dardanin, babait të Marigona Osmanit i ishte dukur si njeri i qetë. Për të ishte hera e parë që e shihte, sepse nuk e kishte njohur më parë.

Sipas Muhabi Osmanit, Marigona së bashku me Dardan Krivaqën kanë qëndruar në Shëngjin 2 javë dhe pastaj janë kthyer në Kosovë.

“Marigona na ka thënë se do të vijë në Kosovë dhe do të na tregojë që ta bëjë lidhjen familjare,” u shpreh Osmani.

Muhabi Osmani e cilësoi vajzën e tij të ndjerë si një vajzë të qetë dhe të urtë, sipas tij, ajo është mashtruar nga Krivaqa.

“Kriminelët kanë profesionalizëm që të mashtrojnë, ai e ka mashtruar sepse Marigona i ka besuar”.

Ndryshe babai i së ndjerës shtoi se Marigona nuk ka mundur të mashtrohet për kushte jetese, pasi ata si familje kanë pasur një jetë të mirë.

“Unë i kam 4 vëllezër jashtë shtetit, për kushte i kemi pasur të mira, si familje e kemi pasur jetën e mirë, e kemi pasur edhe biznesin familjar”.

E ndjera Marigona, i kishte thënë babait se gjithçka ishte në rregull.

“Apartamenti ku kanë qëndruar ata ka qenë i vogël, unë isha jashtë me Marigonën, kam biseduar me të dhe e kam pyetur a mos është diçka me zor, por ajo më ka thënë jo babi gjithçka është në rregull”.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, ndër të tjera, Osmani tregoi se pas kthimit në Kosovë, kanë pyetur për familjen e Dardan Krivaqës, ku dy-tri familje kanë dhënë reagime negative për ta.

“Pas dy javësh Marigona ka ardhur së bashku me Dardanin dhe ka mbledhur rrobat e saj, por nuk kemi pasur shanse të nxjerrim diçka nga ajo, sepse ajo ka qenë e kërcënuar,” ka thënë Osmani.

“Unë e kam pyetur për shëndetin, sepse ajo ishte e dobët por ajo më thoshte që jam mirë, nuk na ka dhënë shenjë, sepse nëse do të kishte dhënë një shenjë unë do ta kisha zgjidhur menjëherë atë problem.”

Sipas babait të së ndjerës, Marigona ka qëndruar gjithmonë bashkë me Dardanin, i cili ia kishte bërë të ditur se do të shkonin në Zvicër për të punuar, pasi atje Dardani kishte vëllain e tij.

“Banesa në Ferizaj ka qenë e vëllait të Dardanit që është në Zvicër, aty kanë qëndruar pasi kanë ardhur. Valdetja ka shkuar 2-3 herë, ndërsa unë kam shkuar vetëm një herë dhe ka qenë banesa e mbyllur, nuk kam mundur të hyj as në ashensor, dera ka qenë e mbyllur, dhe thashë se kanë dalë në qytet, pastaj kanë ardhur vëllezërit nga jashtë shtetit dhe jemi takuar me Marigonën dhe Dardanin në një kafiteri.”

Sa i përket deklaratës të nënës së Marigonës, që Marigona nuk po ushqehej mirë, Osmani u shpreh se vetë ai ishte i gatshëm t’i ndihmonte financiarisht. Ai, gjithashtu, tha se vëllai i Krivaqës iu dërgonte para./Dukagjini.com.