Avni Dehari vendos kurora lulesh te varret e dy djemve të tij, Astrit dhe Arbënorit - Foto: KALLXO.com

Babai i Astrit Deharit: Prokuroria ta zbardh rastin sa më shpejtë

Aktivitete të ndryshme do të mbahen gjatë ditës së sotme në përvjetorin e pestë të vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Astrit Dehari vdiq në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej nën dyshimet për sulmin ndaj kuvendit i cili ndodhi po atë vit.

Mëngjesin e sotëm, pati homazhe te varri i Astrit Deharit. Homazheve u prinë, prindërit e Astritit, gruaja, vajza, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari foli shkurt në lidhje me vdekjen e djalit të tij.

“Prokuroria të mos zvarrisë rastet, siç i kanë zvarritur deri tash, duhet ta zbardhin sa më shpejtë rastin”, tha Avni Dehari.

Pas homazheve Kurti tha se reformat në drejtësi do të ndërmerren për nderë të viktimave të ndryshme, si ato të luftës e të krimit.

“Do të bëjmë reforma të thella në drejtësi edhe për viktimat e luftës, edhe për viktimat e krimit të organizuar e korrupsionit e edhe për viktimat e krimit politik çfarë ishte edhe mbytja e Astritit në burg”, tha Kurti.

Kurti tutje shtoi edhe se deri sot për pesë vite askush nuk ka marrë përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit.

“Pesë vjet pa Astritin janë edhe pesë vjet pa drejtësi për astritin, ai u mbyt në burg në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016 dhe sot e kësaj dite nuk mund të jemi të qetë përderisa nuk ka drejtësi për Astritin përderi sa përgjegjësit nuk janë gjykuar e dënuar dhe përderisa nuk është zbardhur në plotni e vërteta për të. Ja kemi borxh edhe Astritin edhe qytetarëve drejtësinë”, tha tutje Kurti.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka publikuar një shkrim me të gjitha veprimet që janë ndërmarrë gjatë këtyre pesë viteve që nga vdekja e Astrit Deharit.

Vdekja e mistershme e Astrit Deharit e pazgjidhur tash e pesë vjet