Babai e raporton djalin në Polici për dhunë në familje

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet janë regjistruar në këto qytete: një rast në Prishtinë, një rast në Gjakovë dhe tri raste të Prizren.

Në Prishtinë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Sipas Policisë rasti ka ndodhur më 27 shtator rreth orës 22:00. “Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”-ka njoftuar PK.

Në Prizren një burrë ka raportuar në Polici se biri i tij në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj tij dhe familjarëve të tjerë. Rasti ka ndodhur dy ditë më parë, thuhet në raportin e Policisë. Sipas Policisë, me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Një grua në Prizren ka raportuar në Polici se burri me të cilin bashkëjeton ka ushtruar dhunë ndaj saj. Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 13:25 në Prizren.

Policia ka njoftuar se pas intervistimit palët janë liruar ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt. Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar dje në Prizren.

Një grua ka raportuar në Polici se burri me të cilin bashkëjeton ka ushtruar dhunë ndaj saj. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 14:00 dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar. Rasti shkon në procedurë të rregullt, ka njoftuar PK.

Në Gjakovë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Ngjarja ka ndodhur më 22 shtator rreth orës 19:00. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.