Azemi: Inspektorati i Punës propozon të kthehen në punë punëtoret teknike të Kuvendit

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi më 03.12.2024 ka njoftuar e kanë fituar kontestin ndaj Kuvendit të Kosovës dhe kompanisë “Schafberger”, lidhur me çështjen e punëtoreve teknike të Kuvendit të cilat janë në grevë tash e disa muaj.

Jusufi ka thënë se raporti zyrtar i Inspektoratit të Punës e ka fajësuar kompaninë private.

Ndërsa, në raportin e Inspektoratit të publikuar nga Azemi thuhet se kësaj kompanie i është shqiptuar vërejtje që në afat prej tri ditëve të eliminohen parregullsitë e konstatuara.

“Federata Sindikale e sektorit privat të Kosovës fiton kontestin ndaj Parlamentit te Kosovës dhe kompanisë Sshalberger në rastin e grevës së punëtoreve teknike në Kuvend. Raporti zyrtar i inspektoratit të punës e bën fajtor për rastin e cekur tërësisht kompaninë e kjo ka qenë në vi me Kuvendin. Turpi brina nuk ka. Inspektorati i propozon kompanisë qe te gjitha punëtorët t’i kthej aty ku kanë qenë brenda 3 ditëve” – ka shkruar Azemi.

Që nga 16.09.2024, punëtoret e Kuvendit të Kosovës që kujdesen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e sallave të institucionit qendror dhe hapësirat e tjera, janë në grevë duke kërkuar rritje të pagave.

Përfaqësuesja e punëtoreve, Nazife Krasniqi kishte thënë se paga prej 275 euro është e pamjaftueshme për një person e le më për ato që mbajnë familje.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kanë mbajtur protestë para Kuvendit të Kosovës disa herë, në shenjë të përkrahjes së punëtoreve teknike të Kuvendit.

Tre muaj pas, Kuvendi i Kosovës më 15.11.2024,ka lidhur kontratë të re për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike të hapësirave të institucionit.

Përmes një njoftimi, Kuvendi i Kosovës kishte bërë të ditur se kontrata e fundit për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike është lidhur para nxjerrjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 350 euro.

Me marrjen e kontratës, Kompania Schafberger ka zëvendësuar punëtoret teknike greviste me punëtore të reja.

Pas këtyre zhvillimeve, kryetarja e Komisionit, Duda Balje kishte deklaruar se i ka ftuar të marrin pjesë në ketë takim në mënyrë që të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje.

Por, punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës nuk kanë pranuar të takohen me deputetët e Komisionit me arsyetimin se “Kuvendi deri tani nuk ka bërë asgjë për to”.

Në emër të punëtoreve teknike, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pati thënë se po presin raportin e Inspektoratit të Punës.

“Nuk keni bërë asgjë për neve”, punëtoret teknike të Kuvendit refuzojnë të takohen me Komisionin për të drejta të njeriut