Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Azemi i PDK-së: Ne e kemi pasë në planprogram rrëzimin e objektit të Gjykatës

Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Ilmi Azemi, në emisionin “Kallxo Pernime” ka folur për vendimin e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë që të rrëzohet objekti i ish-Gjykatës Komunale për t’u ndërtuar shesh.

Sipas Azemit, kjo ide kishte qenë edhe në planprogramin 4-vjeçar të PDK për Vushtrrinë.

“PDK edhe në fushatën paraprake e kemi pasë në programin qeverisës 4 vjeçar, që ta rrënojmë këtë objekt, posa të përfundojë ndërtimi i Gjykatës së re. Ne e kemi pasë edhe në programin tonë që të ndërtojmë shesh. Ky objekt nuk përshkruan kurrgjë për neve shqiptarëve, përkundrazi kemi vetëm të kaluar të hidhur nga kjo Gjykatë. Nuk na lidhë asgjë neve me këtë objekt. Është 1 metër prej rrugës objekti prej Gjykatës”, tha Ilmi Azemi në “Kallxo Pernime”.

Ai ka folur edhe për deklaratën e asamblistes së LVV-së, Gresa Muli për propozimin e kryetarit Xhafer Tahiri që kinse LVV po e kundërshton ndërtimin e sheshit për shkak se është propozuar që emrin ta ketë “Ibrahim Rugova”.

“Për herë të parë po e dëgjoj për ‘pazarin’ që emri i sheshit me qenë “Ibrahim Rugova””, tha asamblisti i PDK-së, Ilmi Azemi.

Sipas tij, PDK, ndonëse në opozitë, i ka votuar mbi 95% të propozimeve që kanë ardhë në Kuvendin Komunal.

“Grupi i asamblistëve të PDK-së kemi qenë gjithnjë konstruktiv e unik. Edhe pse kemi qenë në opozitë, 95% e propozimeve i kemi votuar në mënyrë anonime. Ndërsa LVV, si u prish koalicioni, po mendon me shkatërru gjithçka. Ne nuk e pëlqejmë këtë qasje”, tha në mes tjerash Azemi.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka votuar që ta rrëzojë objektin e ish-Gjykatës së Vushtrrisë dhe aty të ndërtojnë një shesh.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në qytetin e Vushtrrisë dhe mospajtime të partive që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.