Kandidati i PDK-së Azem Guri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Azem Guri (PDK): Do të themelohet Qendra e Trajnimeve për mësimdhënësit

Në kuadër të reformave për arsim, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraparë matjen e performancës së mësimdhënësve në Kosovë si dhe krijimin e Qendrës së Trajnimit.

Kandidati nga radhët e kësaj partie, Azem Guri, tha se themelimi i kësaj qendre parasheh trajnimin e mësimdhënësve dhe udhëheqësve të shkollave në Kosovë.

“Themelimi i Qendrës së Trajnimit parasheh trajnimin e mësimdhënësve në programe të akredituara si dhe trajnimin e drejtorëve për profilin e shekullit 21”- ka theksuar Guri, në “Debat Përnime”, më 16.01.2025.

Ndërsa, kandidati tjetër, Naim Ismajli foli më në detaje për mënyrën se si PDK-ja parasheh të bëjë vlerësimin e mësimdhënësve.

“Vlerësimi i performancës do të bëhet duke u bazuar në indikatorë matës që na saktësojnë kualitetin e mësimdhënies dhe paralel me të është pakoja e edukimit të mjaftueshëm dhe ngritja e Qendrës [së Trajnimit]. Këto dy kompententa sigurojnë që ne do të kemi vlerësim të vazhdueshëm [të mësimdhënësve]”- ka deklaruar Ismajli.

Kandidatët e PDK-së, Kristina Gashi-Bytyçi dhe Naim Ismajli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Kandidati Guri tha se do ofrohen edhe trajnime njëvjeçare për mësimdhënësit që nuk tregojnë përformancë të mirë me qëllim që t’u jepet edhe një mundësi.

“Nuk do të largohen ata që nuk e kalojnë, por duhet t’u jepet mundësi që ata të ndjekin një trajnim njëvjeçar dhe atëherë të shihet sesi të veprohet. Në qeverisjen e PDK-së çdoherë ka qenë një relacion i mirë me Sindikatën dhe çdoherë është bërë një kompromis”- ka thënë Guri.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e PDK-së: 100 çerdhe, siguri në shkolla dhe investime qindra milionëshe në rajonin e Ferizajt