Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Avullohen' mbi 1,500 euro në Zyrën Postare në Podujevë

Një vlerë prej 1 mijë e 524 euro është ‘avulluar’ në mes të këtij muaji në Zyrën Postare e cila gjendet në Podujevë.

Kjo është vërejtur gjatë kohës sa bëhej konstatimi i gjendjes së produkteve dhe parasë së gatshme më 15 gusht të këtij muaji.

Posta e Kosovës i ka thënë KALLXO.com në një përgjigje se me këtë rast po merren edhe organet kompetente të shtetit.

KALLXO.com ka siguruar një dokument, në të cilin shpjegohet se si është vërejtur kjo mungesë e parave.

Dokumenti thekson se më datë 15 gusht 2022, rreth orës 15:30 është bërë konstatimi i gjendjes së arkës nga Inspektori Postar i Postës së Kosovës ndërsa prezantimin e gjendjes së produkteve/stoqeve dhe parave të gatshme e ka bërë ushtruesja e detyrës së përgjegjëses së zyrës postare në Podujevë, Shemsie Vokrri.

Tutje gjatë kohës sa Vokrri kishte bërë prezantimin e gjendjes, inspektori postar kishte bërë edhe numërimin e produkteve dhe parasë së gatshme ndërsa aty ishte vërejtur edhe mungesa e parave.

“Mungesa ishte ndarë sipas produkteve të shërbimeve pasi te kartelat gërvishtëse diferenca ishte 810 euro ndërsa te shërbimet E-topUP 613.86 euro”- prezantohet mungesa e parave në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com.

Përveç mungesës në kartela gërvishtëse dhe shërbimet E- topUP, inspektori postar ka inspektuar edhe sportelet duke përfshirë edhe stafin e Zyrës Postare në Podujevë. Te njëri nga zyrtarët administrativ është vërejtur edhe një mungesë tjetër e parave, ajo në vlerë prej 100.29 eurove.

Dosja që ka siguruar KALLXO.com, tregon edhe për gjendjen e konstatuar pas inspektimit të
Inspektorit Postar të Postës së Kosovës.

Sipas gjendjes që është paraqitur në dokument, ‘avullimi’ i parave është bërë në kartelat gërvishtëse të vlerave 3, 5, 10, 20 eurove. Në total vlera që mungon e këtyre produkteve është 810 euro.

Tutje sipas dokumentit te shërbimet E-top up, vlera që mungon është 613 euro.

Gjatë konstatimit të gjendjes së arkës në zyrën postare në Podujevë, përveç inspektorit postar kanë qenë edhe ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Operativës në Postën e Kosovës, Saranda Ademi dhe Ushtruesi i detyrës së menaxherit regjional të Prishtinës, Flamur Kadriu.

Në lidhje me këto informacione KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Posta e Kosovës.

“Lidhur me rastin posa kemi pranuar informacionin nga zyra postare për dyshimin e mungesës së mjeteve financiare apo dhe përvetësimin nga personi i tretë janë angazhuar instancat e brendshme të Postës së Kosovës për identifikim të rastit”- thuhet në përgjigjen e Postës për KALLXO.com.

Tutje të njëjtit kanë pranuar se është hapur edhe një hetim disiplinor për këtë çështje.

Posta e Kosovës nuk ka pranuar që të jap informacione se cilët janë personat përgjegjës për këtë ngjarje duke justifikuar mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit.

“Në interes të mbrojtjes së dinjitetit dhe integritetit të të gjithë punonjësve, nuk na duket etike të lakohen emrat e përveçëm, prandaj nuk mund të ju ofrojmë këtë informatë”- thuhet në përgjigjet e Postës së Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ushtruesen e detyrës së përgjegjëses së Zyrës Postare në Podujeve, Shemsie Vokrri.

E njëjta nuk pranoi të flas për rastin.

“Nuk e di, nuk kam asgjë të shkruar, rasti është nën hetime dhe nuk dua të flas për këtë çështje. Për këtë rast asgjë nuk kam të shkruar edhe nuk dua të flas për këtë rast”- tha Vokrri.

E njëjta sipas dokumentit që ka siguruar KALLXO.com, ka qenë personi kryesor si përgjegjës e cila ka bërë prezantimin e gjendjes së stoqeve dhe parave të gatshme.

Shemsie Vokrri, kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2017, nga 13 korriku 2022 ka marrë detyrën e re në ndërmarrjen publike – Posta e Kosovës.

Vokrri ushtron detyrën e përgjegjëses së zyrës postare në Podujevë në bazë të vendimit që është marrë nga ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, që mban datën 30 qershor.