Avokatja Stublla- Emini: Liria e shprehjes përfundon në momentin kur i cenohet e drejta tjetrit

Avokatja, Merita Stublla – Emini, në emisionin “KALLXO Përnime” me temën “Dezinformatat në Drejtësi” ka thënë se lajmet e rreme dekurajojnë publikun që t’i drejtohen sistemit të drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore.

Stublla- Emini tha se lajmet e rreme kanë të vetmin qëllim legjitimimin e informacioneve të pasakta.

“Lajmet e rreme qëllim të vetëm kanë legjitimimin e informacioneve të pasakta në njerën anë dhe në anën tjetër me dekuraju publikun që në raport me sistemin e drejtësisë të mos i drejtohen atij”- tha avokatja.

Kjo çështje, sipas saj, duhet të shikohet në dy dimensione: në saktësinë e informacionit dhe në gjeneralizimin e çështjes së informacionit.

Sipas saj, është e padrejtë që për shkak të një lëshimi ose një shkeljeje për një rast të caktuar, t’i atribuohet ajo shkelje tërë sistemit të drejtësië në “çështje faktike dhe juridike”.

Nëse një çështje ka mangësi në trajtimin e saj, sipas avokates, ekziston një shkallë e dytë që e korrigjon të parën për shkeljen eventuale.

“Nëse ka shkelje në aspektin gjyqësor, atëherë ato i korrigjon shkalla e dytë”- tha Stublla- Emini.

Tutje avokatja theksoi se ka vonesa në trajtimin e lëndëve kur ka shpifje dhe fyerje dhe se kompensimi i dëmit është simbolik në raport me pasojat e shkaktuara.

“Lendët po shkojnë në gjykata, e pastaj ka vonesa në trajtimin e lëndëve. Por edhe në ato raste janë konstatuar shpifje e fyerje. Kompensimi i dëmit është simbolik …”- shtoi tutje Stublla – Emini.

Sipas avokates, nuk mund të flitet apo të shpifet çkado duke u thirrur në lirinë e shprehjes, sepse “liria e shprehjes përfundon në momentin kur i cënohet e drejta dikujt tjetër”.