Avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami ndalohen për 48 orë

Avokatja, Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami janë ndaluar nga Prokuroria e Prishtinës për 48 orë.

Këtë për KALLXO.com e kanë konfirmuar burime brenda prokurorisë.

Sipas dyshimeve fillestare, ata dyshohen për ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të prokurorisë, janë kërkuar rreth 25 mijë euro nga pala në emër të gjyqtarëve të Apelit për zgjidhjen e rastit.

KALLXO.com ka provuar t`i kontaktoj të dy palët e referuara në komunikatën e Prokurorisë por nuk kanë pasur qasje në telefon.

“Pas një pune disa mujore të Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, lidhur me hetimin e rastit të publikuar në media, ku dyshohet se kërkohen shuma prej 25 mijë euro në emër të anëtarëve të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, lidhur me lëndën e të dëmtuarit B. S.. Sot më datë 02.12.2024 si rezultat i punës hetimore janë ndaluar Sh. Sh. dhe I. I., për shkak të veprave penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 par. 1 të KPRK-së dhe veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 1 të KPRK-së”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.