Gjykimi i Enver Sekiraqës për vrasjen e Triumf Rizes FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Avokatja e Enver Sekiraqës paralajmëron padi për shpifje për Shefqet Rizën

Në seancën e mbajtur ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytjen e Arben Berishës për ta vrarë policin Triumf Riza, babai i të ndjerit, Shefqet Riza, tha se e ndjera Nekibe Kelmendi e kishte liruar në vitin 2005 të pandehurin.

Kurse avokatja e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, vajza e Nekibe Kelmendit, u ndje e ofenduar nga këto fjalë dhe tha se do ta padisë Shefqet Rizën.

“Nuk është e vërtetë se nëna ime e ndjerë ka liruar të akuzuarin Sekiraqa dhe unë do ju padis për shpifje”, tha Kelmendi

Shefqet Riza po ashtu tha se Sekiraqa ka qenë edhe bashkëpunëtor i Arkanit.

12 vjet pas vrasjes së Triumf Rizës, më 16 shtator të vitit 2019, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtor për herë të dytë Enver Sekiraqën për nxitje të kësaj vrasjeje.

Trupi gjykues, Sekiraqës i shqiptoi dënim me burgim prej 30 vjetësh, ndryshe nga hera e parë kur Sekiraqa u gjykua nga trupi gjykues i EULEX-it, i cili i shqiptoi dënimin me burgim prej 37 vjetësh.

Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë. Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekë edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje – 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.