Donald Trump - Foto: REL/Reuters

Avokati: Trump po e vë informatorin në "rrezik fizik"

Një avokat i informatorit, që nxiti procedurat për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, i dërgoi letër Shtëpisë së Bardhë me, siç u tha, kërkesën për të ndalur presionin.

Në letër, Andrew Bakaj, shkroi se “retorika dhe aktiviteti” i Trumpit e vendosin klientin dhe familjen e tij “në rrezik fizik”.

Identiteti i informatorit deri më tash është ruajtur nga rivalët e Trumpit – demokratët.

Informatori e ka ngritur ankesën në gusht, duke shfaqur shqetësim për një thirrje telefonike midis Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Është thënë se Trump i ka kërkuar Zelenskyt të hetojë për korrupsion Joe Bidenin – rival i tij i mundshëm në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në letrën dërguar këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, Bakaj citoi shembuj të shumtë të, siç tha, “fiksimit” të presidentit për identitetin e informatorit.

Bakaj tha se Trump me “deklarata të tilla” për mediat, në tubime dhe në Twitter e frikëson klientin e tij.

Por, Trump edhe të premten i vazhdoi sulmet kundër informatorit.

“Informatori është një turp për vendin tonë, një turp”, u tha Trump gazetarëve.

Presidenti ka mohuar keqbërjen dhe hetimet kundër tij i ka cilësuar si “gjueti shtrigash”. REL