Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Avokati Tomë Gashi flet për aksionin policor të EULEX-it në zyret e OVL UÇK

Avokati i OVL-UÇK-së, Tomë Gashi, ka thënë për KALLXO.com se njësitet policore të EULEX-it që erdhën sot në zyret e kësaj organizate nuk kanë paraqitur asnjë urdhër për bastisje në këto zyre.

“Zyrat e OVL-UÇK janë duke u bastisur. Kam ardhur këtu para 30 minuta. Nuk është paraqitur asnjë urdhër për bastisje as para kryetarit të OVL-UÇK as para kurrkujt. Jemi duke pritë ende të shikojmë se çfarë do të ndodh nuk na kanë thënë asgjë deri më tani”, tha ai.

Njësitet speciale të Policisë së EULEX-it kanë hyrë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve ka thënë para mediave, se njësia e policisë së EULEX-it është futur në zyrat e OVL-së pa asnjë paralajmërim.

“Në kërkuam arsyje pse janë fut pa paralajmërim pa ndonjë urdhëresë që t’i bastisin zyrtar por mendoj se turpi i gjithë kësaj është nga institucioni më i lartë nga institucionet tona, dhe ne sot kërkojmë që të këndellen dhe të mbushen mend të gjitha ata që janë ul në postet kryesore të vendit”, ka thënë Jashari.

Ai tutje ka thënë se me ngjarjen e sotme po vërtetohet se Gjykata Speciale po shkel mbi luftën e UÇK-së.

Sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka folur para mediave në lidhje me bastisjen që janë duke e bërë policia e EULEX-it në zyret e kësaj organizate

Ai tha se ishte duke pirë kafe kur kanë arritur policia si dhe sipas tij me ta është një hetues i Gjykatës Speciale.

“Isha duke pirë kafe dhe e pashë korridorin e mbushur që besoj ata janë konsultuar me shtetin dhe me ta është hetuesi i dhomës së specializuar dhe i cili i ka marrë edhe dosjet e tjera të Gjykatës”, tha ai.

Aksioni i EULEX-it është bërë disa ditë pasi OVLUÇK publikoi në tri seri dosje të Gjykatës Speciale.

FOTO – Policia e EULEX-it hyn në zyret e OVLUÇK