Avokati Tomë Gashi e zyrtari i PSD-së, Nol Nushi, flasin rreth incidentit pas debatit televiziv

Një “përplasje” ka ndodhur mes avokatit Tomë Gashi dhe anëtarit të Asamblesë Komunale të Prishtinës nga radhët e PSD-së, Nol Nushi, pas një debati televiziv në RTK.

Avokati Tomë Gashi në një prononcim për KALLXO.com ka mohuar të ketë pasur rrahje mes tij dhe Nol Nushit.

“S’ka pasë kurrfarë incidenti, ka pasë vazhdim të debatit, pas përfundimit të debatit. Unë besoj që është keqpërdorim i atyre që kanë aluduar dhe që kanë publikuar kinse ka pasur rrahje në mes meje që jam identifikuar si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nol Nushit që është një prej zyrtarëve të PSD-së”, tha ai.

“Thjesht debati ka qenë më i ashpërsuar për shkak se Noli edhe gjatë emisionit ka filluar me fyerje duke aluduar në djalin tim që e ka emrin Albin dhe sigurisht që përmendja e anëtarëve të familjes nuk është gjë e mirë kështu që unë ia kam kthy me të njëjtën”, shtoi ai për KALLXO.com.

Gashi ka shtuar se ka qenë një debat më i ashpërsuar mes tyre dhe se nga ana e tij nuk ka pasur gjuajtje me ujë.

“Ka qenë një gotë me ujë që ka qenë shumë situatë jo aq acaruese, por atë që e kam thënë unë përveç që ka qenë e vërtetë, i ka dhimtë shumë”, tha ai.

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga zyrtari i PSD-së, Nol Nushi por i njëjti ka qenë i paqasshëm në telefon.

Ndërkaq, ai në RTV Dukagjini pak minuta më parë ka thënë se nuk ka pasur rrahje mes tij dhe avokatit Gashi, por e pranoi se ka hedhur ujë në drejtim të Tomë Gashit.

“Nuk ka pasur kurrfarë rrahje, as konfrontim të vogël fizik mes meje dhe Tomës. E kemi mbajt distancën. E kam gjujt me ujë sepse jam ofendu tepër rëndë. Krejt kanë qenë dëshmitar aty sa jam ofendu. Janë fjalë që për natyrën që kam, nuk i përdori. Kanë qenë fjalë tepër të ulëta”, tha Nushi.

Nushi e Gashi ishin në një debat në televizionin publik RTK.