Foto: Facebook

Avokati Tomë Gashi e uron Haki Abazin, thotë se së shpejti 'do të jemi bashkë' në VV

Sot gjatë ditës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, prezantoi prurjen më të re në parti, analistin Haki Abazi.

Në postimin e Kurtit në rrjetin social Facebook, anëtarësimi në VV i Abazit ka marrë shumë pëlqime e urime.

E njëri prej urimeve që ka rënë në sy është ai i avokatit Tomë Gashi.

“Bravo Zotëri Haki, së shpejti do të jemi bashkë”, ka komentuar Gashi.

I kontaktuar nga KALLXO.com, avokati Gashi as nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar se mund të hyjë në Vetëvendosje.

“Ai është thjesht një urim për Haki Abazin. Unë as nuk thash po as nuk thash jo, sot për sot mjafton kaq”, tha Gashi kur pyet se a do të anëtarësohet në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në vitin 2007, avokati Tomë Gashi ishte një ndër të aderuarit e shumtë në PDK-në që atëherë drejtohej nga Hashim Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje në kohën e fundit ka arritur që në radhët e veta t’i anëtarësojë disa personalitete të njohura, ndër ta edhe ish- deputetin e LDKsë, Shpejtim Bulliqi.