Avokati thotë se ish-ofiqari i akuzuar për falsifikim ishte vënë në lajthitje

Shkëlzen Ahmeti, ish-zyrtar i Gjendjes Civile në Gjakovë po akuzohet se vërtetoi të dhëna të rrejshme personale të një burri.

Ahmeti sot doli para gjykatës ku mbrojtja e tij kundërshtoi aktakuzën për keqpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti zyrtar.

Avokati Meshari Selimaj tha se i mbrojturi i tij është vënë në lajthim.

“I mbrojturi im nuk ka pasur për qëllim një gjë të tillë, aty ka punë voluminoze, ai është vënë në lajthim nga persona apo person i caktuar duke i mundësuar që pa dashje dhe padijeninë e tij të bëjë veprime të caktuara”, tha ai.

Ai shtoi se edhe nëse gjykata nuk ka bindje të plotë për hedhjen e aktakuzës atëherë “besoj që gjatë shqyrtimit gjyqësorë do të vërtetohet(pafajësia)”

Në anën tjetër, prokurori Ramiz Buzhala, i propozoi gjykatës që kundërshtimet e mbrojtjes të mos mirren parasysh, sepse aktakuza ka prova të mjaftueshme se i akuzuari ka kryer këto veprime.

“Nuk besoj që ka ndodh vënia në lajthim i të akuzuarit, sepse besoj që i akuzuari ka pasur njohuri të nevojshme”- deklaroi prokurori.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu, tha se lidhur me propozimet e palëve do të vendos me vendim të veçantë.

Shkelzen Ahmeti, tashmë zyrtar i emergjencave në seancën e kaluar nuk kishte ardhur pranë gjykatores në Gjakovë.

I akuzuari në këtë rast ishte deklaruar i pafajshëm.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur, ia vërtetoi të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person i akuzuari ia lëshon ekstraktin e lindjes, me te cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkëlzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrjeshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare.

Gjykimi për falsifikim,Gëzim Pozhegu, Ramiz Buzhala, Shkelzen Ahmeti, Meshari Selimaj