Foto: Buta/Instagram

Avokati Shabani konfirmon se Policia e ka ftuar për intervistim reperin Buta

Reperi Betim Januzi, i njohur për publikun si Buta, është ftuar nga Policia e Kosovës për t’u intervistuar në lidhje me vrasjen e G.H., 30-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në orët e para të 28 majit.

Betim Januzi është vëllai i Q.J., i dyshuari kryesor për vrasjen e 30-vjeçarit.

Veton Shabani, avokat mbrojtës i të dyshuarit, ka konfirmuar për KALLXO.com se reperi Betim Januzi është ftuar nga Policia.

“Më ka njoftuar që e kanë thirrur në cilësi të dëshmitarit, por që nuk e kam të konfirmuar a e kanë thirrë me u dëgju dje, apo e kanë thirrë në ndonjë datë të caktuar, por sigurisht që do të intervistohet ai dhe të gjithë të tjerët që mund të kenë ndonjë dëshmi për këtë ngjarje”, tha ai.

Gjatë ditës së djeshme Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Q.J., për vrasjen e G.H.

Në një njoftim të Gjykatës është thënë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë së Ferizajt, me ç’rast është caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit.

Më 28 maj, rreth orës 00:53, G.H., 30-vjeçar, mbeti i vrarë në Ferizaj, pasi ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga i dyshuari Q.J.

Në dosjen e Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën e Ferizajt nga prokurori i shtetit, Shukri Jashari, janë dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

Në këtë dosje tregohet se si njëri nga dëshmitarët e rastit ka deklaruar se i dyshuari Q.J., i cili është vëllai i rep-këngëtarit Buta, i ka shkuar prapa me veturë të markës “Audi A7” viktimës pak para vrasjes.

Viktima G.H. së bashku me shokët e tij që ishin në veturë janë ndalur në një market në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

Në dosje thuhet se gjatë kohës sa dëshmitari ishte brenda marketit ka dëgjuar disa të shtëna armësh dhe menjëherë ka vërejtur viktimën të kërrusur dhe të lënduar si pasojë e të shtënave.

Pas kësaj, dëshmitari thuhet se e ka hipur viktimën në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente ku më pas nga mjekët është konstatuar vdekja e viktimës.

“Me deklaratën e dëshmitarit, i cili ka deklaruar se përderisa ka qenë së bashku me shokët e tij, një ndër ta edhe tani i ndjeri, i pandehuri Q. J. ju ka ardhur nga mbrapa me veturën e markës “Audi A7” dhe përderisa vet ka qenë brenda marketit, ka dëgjuar disa të shtëna dhe menjëherë ka vërejtur tani të ndjerin G. H. të kërrusur dhe i lënduar si pasojë e këtyre të shtënave nga ana e të pandehurit Q. J., prandaj menjëherë e ka hipur në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente, mirëpo aty nga mjekët ishin njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

 

Vrasja në Ferizaj, viktima s`ishte i involvuar në djegien e veturës së vëllait të të dyshuarit

Reagon reperi Buta pas vrasjes në Ferizaj që dyshohet se u krye nga vëllai i tij