Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati: Prokuroria nuk duhet të heshtë rreth mundësisë së 'trenit bullgar' në Skenderaj

Avokati Arbër Jashari ka komentuar mundësinë e praktikimit të  ‘trenit bullgar’ në zgjedhjet e fundit në Skenderaj.

Sipas tij, këto gjëra në shumicën e rasteve shihen tek pasi hapen kutitë e votimit dhe jo në kohën kur ajo mund të ndodhë.

Por, Jashari megjithatë thotë se nëse Prokuroria ka interes ta hetojë një gjë të tillë, kurrë nuk është vonë.

“Mundet prokuroria nëse gjene dhe prova se filani e ka plotësuar, pastaj e ka nxjerrë votën që e ka mbushur te dikush tjetër dhe nëse të gjitha këto elemente kishin me u provu, atëherë e kishim një situatë të qartë. Por, prokuroria nuk duhet të heshtë, duhet me i hetu, me provu me gjetë njerëz, nëse është vonë për PZAP dhe nëse kanë kaluar afatet ligjore, kurrë nuk është vonë për prokurorinë”, tha Jashari në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, po ashtu është shqetësuese nëse nuk është ngritur asnjë hetim ose ndonjë person nuk është marrë në pyetje në rastin me gjuajtje me armë në Skenderaj.

Ankesa janë parashtruar nga subjekti i Bekim Jasharit, i cili kishte ngritur dyshimet për parregullsi dhe vjedhje të votave të sistemit të “trenit bullgar” gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor në Skenderaj.

“Treni bullgar” nënkupton rastin kur votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër.