Avokati: Prokuroria ka dorëzuar fakte të falsifikuara në lidhje me Haki Rugovën
Pasi ka përfunduar paraqitja e kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe zyrtarëve të tjerë para Gjykatës, avokati mbrojtës i kryetarit të Komunës së Istogut, Besnik Berisha ka thënë se Prokuroria ka bërë krim ndaj Haki Rugovës.
“Lajmi është se Haki Rugova tash shkon në shpi. Krim nuk ka bërë Hakiu por Prokuroria”, ka deklaruar Berisha para mediave.
Berisha ka thënë se më vonë do të mbahet një konferencë për shtyp dhe do të shpërfaqen provat të cilat vënë në pikëpyetje objektivitetin e Prokurorisë.
“Ajo që do të dëgjoni dhe lexoni nga shkresat vë në pikëpyetje jo veç objektivitetin e Prokurorisë që e ka urdhëruar arrestimin por shfaq një dozë të pasigurisë që duhet të jetë e ndëshkueshme”, ka shtuar ai.
Më tej, Berisha ka pretenduar se Prokuroria ka dorëzuar fakte të falsifikuara në lidhje me të mbrojturin e tij, Haki Rugova.
“Prokuroria në momentin që i ka dorëzuar dokumentet të cilat përmbanin fakte të falsifikuara, ata e kanë ulë kokën dhe janë në pritje të një vendimi dhe po të kishte hetuesi. z.Rugova kthehet në shtëpinë e tij”, ka theksuar Berisha.
Avokati Berisha ka thënë se kryetari i Istogut, Haki Rugova, është persekutuar.
“Kryetari është persekutuar po të kishte ligj dhe organ që mbikëqyrë dhe penalizon verimet e një arrestimi arbitrar, do të provohej pa u bërë tri ditë sepse ajo që keni parë ju dhe ajo që është shpërfaqë në tituj është dëm i pariparueshëm ndaj z.Rugova”, ka shtuar Berisha.
Berisha ka deklaruar se është pak e rëndësishme se çfarë mase do të vendosë Gjykata.
“E rëndësishme është krimi që është bërë ndaj Hakiut. Çdo provë e dorëzuar sot rrëzon verbërinë e Prokurorisë. Prokuroria është tërhequr nga masa e sigurisë për të dyshuarin Faton Bujupi, për të dyshuarin se është hartuesi dhe përpiluesi i dokumentit të falsifikuar, për akterin kryesor heq dorë nga propozimi. Sot, dje, pardje bëri krim Prokuroria e jo z.Rugova”, ka përfunduar Berisha.
Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe dy zyrtarët e tjerë kanë dalë para gjyqtarit në Gjykatën të Pejës.
Ata janë përballur me kërkesën e Prokurorisë për shqiptimin e ndonjërës nga masat për sigurimin e tyre në procedurë.
Të premten kryetari i Istogut, Haki Rugova, një drejtor i Komunës dhe një zyrtar tjetër janë arrestuar nën dyshimet për tre vepra penale.
Keqpërdorim i detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikimi i dokumenteve janë veprat penale për të cilat Prokuroria kishte urdhëruar arrestimin dhe marrjen në pyetje të të tre zyrtarëve.
Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Istogut Haki Rugova do të paraqitet në Gjykatë.
Kjo pasi që i njëjti është duke u përballur edhe me një aktakuzë në një proces gjyqësor tjetër, ku akuzohet për konflikt të interesit, pikërisht lidhur me detyrën e tij si kryetar i Komunës së Istogut.
“Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për tenderët që kompania familjare e kryetarit Haki Rugova kishte fituar në Komunën e Istogut, e ku sipas deklarimit të pasurisë, përqindje në kompani kishte edhe vet kryetari Haki Rugova.