Spitali i Gjakovës "Isa Grezda"

Avokati pretendon se i dyshuari për dhunimin e 14-vjeçares ishte duke u trajtuar nga varësia e narkotikëve

Një ngjarje e rëndë po dyshohet se ka ndodhur në fillim të këtij muaji pasi një e mitur e moshës 14-vjeçare sipas prokurorisë është dhunuar nga një person 33-vjeçar me inicialet Sh.Ll.

Ndaj këtij të fundit është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë ndërsa KALLXO.com ka arritur që të siguroj vendimin e gjykatës për të njëjtin.

Në seancën e mbajtur mëngjesin e sotëm para gjyqtarit të procedurës paraprake, avokati i të dyshuarit Driton Dobruna ka potencuar se klienti i tij është duke ndjekur një program rehabilitimi pasi është i varur nga substancat narkotike.

Avokati ka treguar se klienti i tij vijon programin rehabilitues në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com, avokati Dobruna ka potencuar se ka kërkuar që ndaj klientit të tij të bëhet një ekzaminim psikiatrik pasi që edhe në ditën kritike dyshohet se i njëjti ka qenë nën ndikim të narkotikëve.

Në dosjen e gjykatës që ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari ka deklaruar se e ka ndihmuar të miturën dhe se ë njëjta ka qëndruar në shtëpinë e ti dy natë.

“Nuk është ashtu siç potencohet në kërkesë, nuk kam pasur marrëdhënie ashtu siç cektet, të njëjtën e kam marrë që t’i ndihmoj dhe ka qëndruar në shtëpinë time dy ditë dhe çdo mëngjes unë kam shkuar në punë ajo ka qëndruar në shtëpi. Unë jetoj vetëm sepse prindërit jetojnë në shtëpi dhe unë jam përdorues i narkotikut”, është deklarata e të dyshuarit para gjyqtarit të procedurës paraprake duke shtuar se të dy kanë qëndruar në kate të ndryshme në atë periudhë sa e mitura ka qëndruar te ai.

Në dosjen e gjykatës potencohet se viktima rastin e ka deklaruar më 5 maj ndërsa përmenden edhe disa nga raportet policore të datës 3 maj të këtij muaji.

KALLXO.com raportoi se sipas prokurorisë, i dyshuari e kishte ndjekur të miturën përgjatë rrugës transit të Gjakovës dhe më pas kishin pirë kafe dhe e kishte dërguar në shtëpi ku edhe pretendohet se i njëjti pastaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të për tri herë pa pëlqimin e saj.

E mitura ka thënë se është arratisur nga dritarja e shtëpisë dhe ka shkuar ta raportoj rastin në polici.

Dosja: 33-vjeçari dyshohet se dhunoi tri herë seksualisht 14-vjeçaren