Avokati Pjetër Përgjoka fyen gjykatësit, dënohet dhe braktisë seancën

“Nuk ka nevojë të buzëqeshni në mënyrë cinike”, kështu i ishte drejtuar në seancën e sotme avokati Pjetër Përgjoka, kryetarit të trupit gjykues Xheladin Osmani, në lidhje me aprovimin për shikimin e CD-ve të hartografisë pa praninë e ekspertëve.

Për këto fjalë fyese, Gjykata në Prizren, përmes një vendimi ka dënuar avokatin Përgjoka.

“Meqenëse, avokati Pjetër Përgjoka pa i dhënë afat për tërheqjen e vërejtjes për prishjen e rendit dhe qetësisë dhe meqenëse në mënyrë direkte i drejtohet kryetari të trupit gjykues ashtu siç edhe e ka deklaruar në procesverbal se ‘nuk ka nevojë të buzëqeshni në mënyrë cinike’, avokati Përgjoka, dënohet me gjobë prej 200 euro dhe për këtë gjë do të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës”, deklaroi kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani.

Pas kësaj situate të krijuar, edhe pas 5 minutave pauzë, avokati Pjetër Përgjoka, nuk kthehet në sallë duke mos dhënë asnjë arsyetim.

Në shenjë proteste dhe solidarizimi me avokatin Përgjoka, përfaqësuesi i dytë i të akuzuarës, Resmije Bytyqi, Durim Nevzati kërkon leje nga kryetari i trupit gjykues dhe largohet nga salla.

E akuzuara Resmije Bytyqi, njoftohet se në qoftë se mbrojtësit nuk do të paraqiten në seancën e radhës, ajo të angazhojë mbrojtës të tjerë ose do t’i caktohen një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Nga kryetari i trupit gjykues, u konstatua se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm, pasi nuk janë prezentë 2 mbrojtësit e të akuzuarës Resmije Bytyqi, dhe seanca ndërpritet për t’u caktuar të mbahet më 5 korrik 2021.

Seanca e sotme ishte e paraparë të mbahej për rastin e vrasjes dhe djegies së Abedin Bytyqit, ku suharekasi ishte vrarë, e më pas ishte djegur, në malet e Suharekës.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi në bashkëpunim e të shtyrë nga Resmije Bytyqi, më 6 tetor 2016, rreth orës 15:30, kanë ndërmarrë veprime me qëllim të vrasjes së Abedin Bytyqit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka publikuar lidhur me këtë rast.

Resmije Bytyqi nuk e thotë asnjë fjalë në gjykimin për vrasjen e burrit të saj