Faton Hajrizi

Avokati Koci: E konfirmoj, e kam parë trupin e pajetë të Faton Hajrizit

Avokati Arianit Koci ka thënë se e ka parë trupin e pajetë të Faton Hajrizit, i cili dyshohet se është vrarë nga Policia serbe më 19.07.2024, një ditë pas një incidenti në të cilin kishte mbetur i vrarë një polic serb dhe një tjetër ishte plagosur.

“E konfirmoj. Trupin e pajetë e pash. Tash mbetet me e konfirmu edhe ekspertët tanë“ – tha avokati Koci për KALLXO.com.

Tutje, avokati tha se është në procesin e përfundimit të procedurave për tërheqjen e trupit.

Trupi i personit për të cilin thuhet se është i Faton Hajrizit po mbahet nga autoritetet serbe.

Avokati Arianit Koci ka qenë para disa ditësh në Serbi për të konfirmuar nëse i vrari është Faton Hajrizi dhe nëse po për të parë mundësinë e kthimit të trupit të tij në Kosovë.

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 06.07.2024, ku po vuante një dënim me burgim.

Ai dyshohet se u vra në Serbi një ditë pas një incidenti gjatë të cilit ishte vrarë një polic serb dhe ishte plagosur një tjetër.

Në vendin ku kishte ndodhur incidenti më  18.07.2024 Policia serbe kishte gjetur pasaportën e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit.

Në prononcime për media, Artan Hajrizi kishte thënë se vëllai i tij ia kishte vjedhur pasaportën.

Ndërkaq, më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se shenjat e gishtërinjve që janë pranuar nga autoritetet në Serbi janë përputhur me ato të Faton Hajrizit.

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar sii vrarë, Faton Hajrizi”- thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona për të cilët dyshohet se e kishin ndihmuar Hajrizin të arratisej nga burgu.