Avokati Kehoe thotë në Gjykatë se Policia e Kosovës ka dhënë përgjigje për lirim e përkohshëm të Thaçit

Avokati Gregory W. Kehoe, i cili është në mbrojtje të ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që të tregojnë “rrugën” të cilën duhet të ndjekin për lirim të parakohshëm të Thaçit.

Madje, ai ka thënë se për këtë gjë, ka informacion se Gjykata të ketë marr përgjigje edhe nga Policia e Kosovës.

“Do të doja t’u kërkoja juve se çfarë rruge duhet të ndjekim ne, sa i takon kërkimit të lirimit të përkohshëm. Kemi një përgjigje nga policia që është në proces përkthimi, kemi një proces të tillë që ju e dini deri në çfarë pike ka shkuar, kështu që duam të kërkojmë mendimin tuaj se çfarë rruge të ndjekim ne për të kërkuar për lirimin e përkohshëm sepse duket që ka goxha kohë derisa të fillojë procesi i gjykimit”, ka thënë avokati.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka kërkuar sqarim nga Policia e Kosovës por të njëjtit nuk janë përgjigjur ende.

Katër ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi që nga nëntori i vitit të kaluar janë në qendrën e paraburgimit në Hagë, të akuzuar për krime të luftës.