Avokati i viktimës 13-vjeçare të dhunuar: Dënimi me 6 vjet burgim më duket i ashpër

Gjykata e Gjakovës më 8 nëntor e ka dënuar me 6 vjet burgim 31-vjeçarin E.K, për dhunimin e të miturës 13-vjeçare.

Sipas ligjit, kjo vepër penale dënohet me më shumë se 10 vjet burgim.

“Kur vepra nga paragrafi 1 ose 2 i këtij neni kryhet ndaj personit nën moshën katërmbëdhjetë
(14) vjet, kryesi dënohet me burgim prej së paku dhjetë (10) vjet”, thuhet në paragrafin 7 të nenit 247 (Dunimi) të Kodit Penal.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e viktimës 13-vjeçare, Ndrecë Dodaj, i cili tha se e sheh si “pak të ashpër” dënimin me 6 vjet burgim.

I pyetur se pse mendon që dënimi prej 6 vitesh burgim është i ashpër, Dodaj tha se “është bindja ime pse mendoj kështu, se nëse e krahasojmë me dënimet e tjera në Kosovë është dënim i lartë”.

Po ashtu, ai theksoi se nuk kishte njohuri për dënimin pasi nuk e kishte pranuar vendimin.

“Se kam pa unë, s’di gjë, se kam marrë vendimin e gjykatës, nuk e di, në shpallje nuk kam qenë”, tha ai.

KALLXO.com e ka pyetur nëse ai do të parashtrojë ankesë pasi ta lexojë aktgjykimin ndërsa Dodaj tha se “nëse është ky dënim që po thoni ju, nuk do të ushtroj ankesë sepse është e drejtë e palës”.

KALLXO.com fillimisht lajmin e ka konfirmuar nga avokati i të akuzuarit Prek Kola.

Sipas Kolës, gjykata ka marrë parasysh pranimin e fajësisë para të gjitha organeve, shprehjen e keqardhjes, faktin që i akuzuari nuk e ka ditur moshën e viktimës.

“Gjykata ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë para policisë, prokurorisë dhe gjykatës, keqardhjen e shprehur, faktin që u kanë në lajthim të moshës së nuk e ka ditë çfarë moshe është se si ka tregu drejt, këta janë të komunitetit egjiptian se gjithmonë janë martuar në moshe të hershme, i ka vetëm 4 vjet shkollë, falja e familjes së të dëmtuarit, e mitura ka deklaruar se na çdo herë kemi bërë mardhënje me qejf”, ka theksuar Kola.

Ditë më parë KALLXO raportoi se si në Gjykatën e Pejës, gjyqtarja Florije Zatriqi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual të një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit, për këso raste është nga 5 deri në 20 vjet.

Për këtë rast ka pasur reagime nga  kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe kryetari i gjykatës supreme, Enver Peci.

Pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dënimin prej 8 muajsh për dhunimin e të miturës nga Gjakova, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi ta suspendojë nga puna gjyqtaren e rastit.