Avokati i Thaçit: Do t’i paraqesim ZPS-së dosje për krimet e serbëve në Kosovë

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka deklaruar se e kanë ndërmend që t’i dorëzojnë Zyrës së Prokurorit të Specializuar materiale për krimet që kanë kryer serbët në Kosovë.

Gjatë së mërkurës, në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, mbrojtësi i Thaçit ka deklaruar se do të dorëzojë dosje për krimet e kryera në Kosovë nga ana e Serbisë.

“Kemi ndërmend t’ia dorëzojmë Prokurorisë disa dosje për krimet që kanë kryer serbët në Kosovë, e që janë të shumta. Mbase Prokuroria do të merret edhe me ato”, tha avokati Kehoe.

Ndërkaq, gjatë kësaj konference diskutimi ka vazhduar edhe nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Ben Emmerson ka folur për rëndësinë e marrjes së autorizimit për publikimin e 400 dokumenteve.

”Sasia e materialeve, për të cilat ende nuk është marrë autorizim dhe s’janë lëshuar, është 400 dokumente. Ne e kemi të qartë se çfarë ndikimi ky lloj dokumentacioni mund të ketë. Shihet më së miri me materialin e rregullës 107 dhe materiale kyçe nuk i janë nxjerrë mbrojtjes”, ka shtuar Emmerson.

Gjatë mbajtjes së kësaj konference, mbrojtja e Kadri Veselit shprehu kritika rreth materialeve të nxjerra nga ana e ZPS-së.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimit, po vazhdon me diskutime të tjera mes të palëve.

Thaçi, Krasniqi,Veseli e Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me 6 akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime thuhet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Ndërkaq, në prill të këtij viti, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

Akuza të reja mbi katër krerët e UÇK-së, përmenden edhe arrestimet politike