Avokati i shoferit të autobusit: Ai nuk ka thënë se e ka zënë gjumi

Avokati i shoferit që shkaktoi aksidentin të dielën në Kroaci, Igor Cisper, ka folur para mediave, pasi Gjykata e Sllavonski Brod ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Cisper tha se ka arritur të flas shumë pak me shoferin dhe sipas tij, ai asnjëherë nuk ka thënë se e ka zënë gjumi gjatë vozitjes.

“Kam arritur të flas me të shkurtimisht, ai është i penduar që e gjithë kjo ka ndodhur, dhe ne do të shohim më tej, tha ai, duke deklaruar se sipas informacionit të tij, ai nuk ka thënë asnjëherë se e kishte zënë gjumi”, tha Cisper.

I pyetur nëse i kishte thënë çfarë kishte ndodhur, avokati Cisper tha “ai më tha, por unë do ta mbaj për vete”, raporton media kroate HRT.

Sot, shoferit të autobusit nga Kosova, që është aksidentuar të dielën në Sllavonski Brodt të Kroacisë, i është shqiptuar masa prej 30 ditësh paraburgim.

Autoritetet kanë thënë se ky vendim është marrë për shkak të rrezikut të arratisjes së këtij personi.

Si pasojë e aksidentit të së dielës, kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur.

Tridhjetë ditë paraburgim për shoferin e autobusit që u aksidentua në Kroaci

.