Avokati i profesorit në Gjilan mohon që klienti i tij të ketë kryer veprën penale - ngacmim seksual

Medinë Dauti, një 22-vjeçare nga Gjilani, ka rrëfyer në emisionin “Kallxo Përnime” ngjarjen që asaj i ka ndodhur për tri vite radhazi.

Ajo pretendon se është ngacmuar nga ish-profesori i saj i shkollës së mesme, më saktë i Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan, K.K.

Për këtë, ky i fundit është dënuar me një gjobë prej 1 mijë e 200 euro në fund të muajit gusht, mirëpo një vepër të njëjtë dyshohet se e ka kryer prapë pas gati një jave.

Medinë Dauti, më 6 shtator 2022 e ka raportuar prapë në Policinë e Kosovës ish-profesorin e saj për veprën penale – ngacmim seksual.

Por, diçka e tillë është mohuar nga avokati i profesorit, Sherif Sherifi.

Avokati e mohon se klienti i tij e ka kryer një vepër të tillë.

Ai gjithashtu ka thënë se e konsideron normale që në mes dy personave të moshës madhore të ketë preferencë të caktuara.

Tutje Sherifi ka thënë se në dokumentet e Prokurorisë nuk ka elemente të veprën penale – ngacmim seksual.

“Prokuroria vetëm ka përshkruar mesazhet pa përfshirë asnjë element të veprës penale” – ka thënë ai.

Sherifi edhe më herët ishte deklaruar për këtë çështje. Ai kishte mohuar që Medinë Dauti të ketë qenë nxënëse e klientit të tij.

“Është potencu që kjo ka qenë ish-nxënëse e palës sime. Ajo kurrë nuk ka qenë nxënëse e profesorit. Është shpifje kjo, ne jemi duke përgatitur padi për shpifje dhe shumë shpejt do e dorëzojmë në gjykatë” – kishte thënë Sherifi për KALLXO.com.

Avokati tutje ka thënë se pala e dëmtuar nuk ka qenë ish-nxënëse e tij dhe një gjë e tillë mund të vërtetohet edhe zyrtarisht.

“Mundeni edhe me e vërtetu zyrtarisht që ajo nuk ka qenë as edhe për një ditë nxënëse e palës time dhe ajo nuk mundet me e marrë statusin e ish-nxënëses” – tha avokati.

Mirëpo, profesori në fjalë, gjatë kohës sa e dëmtuara ishte nxënëse e këtij gjimnazi, i kishte ligjëruar në një orë asaj.

Profesori, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, është arrestuar më 8 gusht 2022 pasi ai dyshohet se më 6 gusht kishte ngacmuar dhe shqetësuar përmes mesazheve në rrjete sociale.

Ky rast, sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, të siguruar nga KALLXO.com, është duke u cilësuar si “ngacmim seksual”.

Sipas avokatit, në këtë rast, pala e tij nuk i ka shkruar të dëmtuarës, por një personi që kjo e fundit e njeh.

“Jo, më 6 shtator profesori nuk i ka shkru të dëmtuarës. I ka shkru një vajzës tjetër, është shoqja ose familjarja e të dëmtuarës, nuk e di saktë. I ka shkru asaj vajzës, ajo ia ka kthy komunikimin” – tha Sherifi.

Avokati tutje shtoi se ky rast nuk mund të cilësohet as si kundërvajtje, e lëre më si vepër penale.

“Në këtë rast nuk ka as kundërvajtje, as ngacmim se le më ngacmim seksual” – u shpreh ai.

Tutje, Sherifi tha se ndaj të mbrojturit të tij është duke u bërë një linçim.

“E dëmtuara, me autorizim të avokates gjatë fazave të ndryshme ka kërkuar caktimin e paraburgimit. Në njëfarë forme, nga rasti i parë tash veç deri te rasti i dytë është vërtetu që është duke iu bërë një linçim profesorit të nderuar” -tha Sherifi.

Për këtë rast ka reaguar edhe familja e të dyshuarit, e cila ka deklaruar se K.K. është duke iu bërë linçim publik.