Ilustrim

Avokati i profesorit në Gjilan: E dëmtuara nuk ka qenë asnjëherë nxënëse e tij

Një profesor në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, K.K., është arrestuar dje nën dyshimin se e ka shqetësuar një vajzë përmes mesazheve në rrjete sociale, ndërsa sot ndaj tij është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.

Vajza në fjalë, sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, është ish-nxënëse e tij dhe ajo e kishte denoncuar edhe më parë profesorin në organet e rendit.

Mirëpo, një fakt i tillë është mohuar nga avokati i të dyshuarit, Sherif Sherifi.

“Është potencu që kjo ka qenë ish-nxënëse e palës sime, ajo kurrë nuk ka qenë nxënëse e profesorit. Është shpifje kjo, ne jemi duke përgatitur padi për shpifje dhe shumë shpejt do e dorëzojmë në gjykatë” – ka thënë Sherifi për KALLXO.com.

Avokati tutje ka thënë se pala e dëmtuar nuk ka qenë ish-nxënëse e tij dhe një gjë e tillë mund të vërtetohet edhe zyrtarisht.

“Mundeni edhe me e vërtetu zyrtarisht që ajo nuk ka qenë as edhe për një ditë nxënëse e palës time dhe ajo nuk mundet me e marr statusin e ish-nxënëses” – tha Sherifi.

Mirëpo, siç mëson KALLXO.com, profesori në fjalë, gjatë kohës sa e dëmtuara ishte nxënëse e këtij gjimnazi i kishte ligjëruar në një orë asaj.

Profesori, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, është arrestuar më 8 gusht 2022 pasi ai dyshohet se me 6 gusht kishte ngacmuar dhe shqetësuar përmes mesazheve në rrjete sociale.

Ky rast, sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, të siguruar nga KALLXO.com, është duke u cilësuar si “ngacmim seksual”.

Sipas avokatit, në këtë rast, pala e tij nuk i ka shkruar të dëmtuarës, por një personi që kjo e fundit e njeh.

“Jo, më 6 shtator profesori nuk i ka shkru të dëmtuarës. I ka shkru një vajzës tjetër, është shoqja ose familjarja e të dëmtuarës nuk e di saktë. I ka shkru asaj vajzës, ajo ia ka kthy komunikimin” – tha Sherifi.

Avokati tutje shtoi se ky rast nuk mund të cilësohet as si kundërvajtje, e lëre më si vepër penale.

“Në këtë rast nuk ka as kundërvajtje, as ‘ngacmim’ se le më ‘ngacmim seksual’” – u shpreh ai.

Tutje, Sherifi tha se ndaj palës së tij është duke u bërë një linçim.

“E dëmtuara, me autorizim të avokates gjatë fazave të ndryshme ka kërkuar caktimin e paraburgimit. Me njëfarë forme, nga rasti i parë tash veç deri te rasti i dytë është vërtetu që është duke iu bërë një linçim profesorit të nderuar” – tha Sherifi.

Për këtë rast ka reaguar edhe familja e të dyshuarit, të cilët kanë deklaruar se K.K është duke iu bërë linçim publik.

KALLXO.com dje raportoi lidhur me rastin në fjalë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, profesori në fjalë më 29 gusht të këtij viti është shpallur fajtor që për gati 3 vite, në mënyrë të vazhdueshme e me dashje dhe me qëllim e ka penguar të dëmtuarën me mesazhe në rrjete sociale dhe e ka ndjekur atë në vendet ku ajo ka qenë.

Në dosje është treguar se bëhet fjalë për periudhën kohore nga maj 2019 deri më 29 janar 2022.

Tutje në këtë dosje është thënë se profesori në korrik të vitit 2019 ia kishte shfaqur dashurinë të dëmtuarës, e cila në dosje thuhet se i kishte treguar se nuk dëshiron lidhje dashurie me të për arsye se ai ishte ish-profesori i saj në Gjimnaz.

E dëmtuara po ashtu në dosje thuhet se në korrik të vitit 2019 edhe e kishte bllokuar numrin e të akuzuarit dhe po ashtu e kishte bllokuar atë në të gjitha rrjetet sociale në mënyrë që të mos kishte asnjë kontakt me të.

Pas këtyre veprimeve të të dëmtuarës, dyshohet se profesori kishte vazhduar që ta ngacmojë atë prapë, mirëpo kësaj radhe duke i shkruar shoqes së të dëmtuarës.

Profsori i Gjimnazit të Gjilanit, sipas dosjes së Prokurorisë, më 22 shtator 2021 i kishte shkruar shoqes të të dëmtuarës përmes profilit të motrës së tij.

Në këto mesazhe, në dosje është thënë se profesori kishe insistuar që të afrohej me të dëmtuarën kundër vullnetit të saj.

Pas gati 3 muajve, më 18 dhjetor 2021 profesori kishte shkuar në një kafiteri të Gjilanit ku, sipas dosjes, aty ishte edhe e dëmtuara.

Tutje në dosje është thënë se pas kësaj e dëmtuara e kishte denoncuar profesorin në Polici, përderisa profesori kishte premtuar se nuk do ta përsëriste më.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com tutje është thënë se premtimi i të akuzuarit nuk ishte mbajtur pasi i njëjti kishte vazhduar prapë që përmes shoqeve të të dëmtuarës ta ngacmonte atë.

Më 24 janar 2021, në dosje thuhet se K.K. e ka ndjekur njërën shoqe të të dëmtuarës në rrugën “Adem Jashari” duke i kërkuar asaj që të shkojnë në kafe dhe të bisedojnë për rastin e raportuar në Polici nga e dëmtuara.

Në dosje thuhet se shoqja e kësaj të fundit nuk ka pranuar këtë ftesë për kafe, mirëpo profesori nuk është ndalur me kaq. Ai në po të njëjtën ditë i ka shkruar motrës së shoqes të së dëmtuarës duke i kërkuar që t’ia mundësojë një bisedë me një shoqe tjetër të së dëmtuarës.

Lidhur me rastin, Gjykata e Gjilanit më 29 gusht 2022 kishte shpallur fajtor profesorin K.K. dhe e ka dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 200 euro, të cilën ai obligohet që ta paguajë në afat prej 3 muajve.