Avokati i Popullit

Avokati i Popullit: Vendimi i  ZRRE-së për tarifat me elemente të diskriminimit

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka publikuar opinionin lidhur me vendimin e Zyës së Rregullatorit të Energjisë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

“Avokati i Popullit vlerëson se vendimi i ZRRE-së ka elemente të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë ndaj konsumatorëve”, thotë IAP.

“Vendimi i ZRRE-së për të përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës krijon situatë të diskriminimit të pjesës tjetër të konsumatorëve. Gjithashtu, subvencionimi në mes të kategorive të konsumatorëve me çmime të rregulluara vë gjithashtu ZRRE-në në pozicion diskriminues”, thuhet tutje.

IAP-së thotë se vendimi për faturim retroaktiv dhe mos-reflektimi në faturë si dhe mos-reflektimi i nivelit të subvencionimit në faturë përbën gjithashtu shkelje të të drejtës së konsumatorëve për informim.

“Masat afirmative të vendosura në vendimin e ZRRE-së nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë konsumatorët me çmime të rregulluara dhe nga shtrenjtimi nuk preken njëjtë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se i gjithë procesi i përcaktimit të strukturës tarifore dhe lartësisë së tarifave të rikthehet në pikën zero dhe çdo proces i ardhshëm, të ndiqet nga parimet e mos diskriminimit etnik apo regjional dhe barazisë së konsumatorëve në tregun e rregulluar.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar në LINK