Avokati i Popullit

Avokati i Popullit, UNICEF dhe KOMF bëjnë thirrje për faljen e dënimit për të miturit

Institucioni i Avokatit të Popullit bashkë me UNICEF dhe KOMF përmes një deklaratë të përbashkët me thirrjen për veprim “T’u japim një shans të miturve”, kanë bërë thirrje përsëri autoriteteve Gjyqësore dhe të Ministrisë së Drejtësisë që të i rikonsiderojnë mundësitë ligjore, qoftë duke konsideruar lirimin e parakohshëm, zëvendësimin e masës edukuese me atë alternative, lirimin me kusht apo edhe faljen e dënimit të të miturve.

Kjo pasi që sipas tyre, në rast të çdo vonese në këtë aspekt mund të ndikojë në të shëndetin e të miturve dhe sigurinë e tyre.

“Duke marrë për bazë këto mundësi që janë në kuadër të ligjeve në fuqi, dhe duke qenë të vetëdijshëm që iniciativat për të bërë ndryshime ligjore janë të vështira dhe të tejzgjatura në këtë kohë, si dhe në faktin se çdo vonesë në këtë aspekt mund të ndikojë në shëndetin dhe sigurinë e përgjithshme të të miturve që janë në vuajtje të paraburgimit apo ndonjërës prej masave edukative institucionale apo burgimit, ne kërkojmë që në afat sa më të shpejtë të mundshëm, aty ku janë plotësuar kushtet ligjore sikurse të cekura më lart, të ndërrmeren vendimet, qoftë për zëvendësim apo shqyrtim të masave edukative institucionale, zëvendësim të paraburgimit, lirim të parakohshme, lirim me kusht apo edhe falje e dënimeve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përcjellur nga IOK.

Sipas tyre, në të gjitha këto rrethana, ndërmarrja e këtyre veprimeve në mënyrë të menjëhershme është në harmoni dhe në përputhje me kërkesat që rrjedhin prej Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës për respektimin e parimit të Interesit më të lartë të fëmijës dhe parimit të sigurisë së jetës, mbijetesës dhe zhvillimit.

Gjithashtu, kanë bërë të ditur se kohëve të fundit kanë marrë thirrje autoriteteve që për të miturit që janë në paraburgim apo duke vuajtur ndonjërën nga masat, ti kenë parasysh këto veprime dhe ndërmarrjen e hapave për t’u përgjigjur situatës nga COVID-19 të cilat përfshijnë:

  1. Vendosjen e një moratoriumi për mos dërgimin e të miturve në qendra paraburgimi.
  2. lirimin e të gjithë të miturve që aktualisht janë në paraburgim apo me masa dhe dënime të cilët munden në mënyrë të sigurt të lirohen
  3. Ofrimi i alternativave ndaj masave institucionale dhe vendosja e të miturve nën përkujdesin momental nga familja apo kujdestari dhe;
  4. Mbrojtjen e shëndetit, mirëqenies dhe rehabilitimit të çdo të mituri i cili duhet të qëndrojë në vuajtjeje të dënimit

Por që sipas deklaratës së përbashkët të tyre, megjithëse javët e fundit janë ndërrmarrë një seri debatesh dhe veprime për të konsideruar lirimin e tyre, kjo nuk është realizuar për shkak të disa arsyetimeve të cilat janë bërë publike edhe ndërmjet mediave dhe formave të tjera të komunikimit.

Kjo deklaratë i është adresuar presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentares Vjosa Osmani, Driton Selmanajt si kryetar i Komisionit për Legjislacion, Skender Çoçaj KGJK, Bahri Hyseni KPK, Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë.