Avokati i Popullit tregon pse nuk po gjejnë zbatim rekomandimet e tij

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale, Persona të Pagjetur dhe Peticione, u raportua se 12 përqind e rekomandimeve për Avokatin e Popullit nuk janë zbatuar.

Kryetarja e Komisionit, deputetja Duda Balje kërkoi sqarim nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj se pse nuk janë implementuar rekomandimet nga ky institucion.

Naim Qelaj tha se këto mangësi kanë ndodhur si pasojë e pandemisë, mungesës së vullnetit politik dhe papërgjegjësisë së autoriteteve përgjegjëse.

“Është kërkuar që të zgjatet afati për zbatim të rekomandimeve për shkak se pandemia ka ndikuar që ne mos të arrijmë të i përmbushim”, tha ai.

Ai tha që pret që të ketë më shumë rekomandime gjatë këtij mandati të qeverisjes.

“Në anën e tjetër ka munguar vullneti politik. Vullneti ka ekzistuar por mungesa e qartësisë së bazës ligjore ka bërë që të jemi në këtë situatë”, tha Qelaj.

Avokati kërkoi që Komisioni të bashkëpunojnë me autoritetet përgjegjëse të cilat e kanë zvarritur zbatimin e rekomandimeve dhe të rritet komunikimi ndërinstitucional për të arritur në zbatimin e rekomandimeve.