Avokati i Popullit

Avokati i Popullit: Sistemi i mbrojtjes sociale në Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm

Institucioni i Avokati i Popullit ka publikuar raportin lidhur me vlerësimin e sistemit të ofrimit të shërbimeve sociale në Kosovë.

Me këtë rast ky institucion e ka vlerësuar se sistemi i mbrojtjes sociale në Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm.

“Avokati i Popullit, pas rishikimit të legjislacionit përkatës, të instrumenteve ndërkombëtare, informatave e mara në secilën komunë, Qendrave për Punë Sociale (QPS) dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (PMS), vlerëson se sistemi i mbrojtjes sociale në Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm, si rezultat i mosfunksionimit adekuat të QPS-ve në raport me ofrimin e shërbimeve sociale profesionale, për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim”, thuhet në komunikatë

Sipas Avokatit të  Popullit, është e domosdoshme që stafi i QPS-ve të profilizohet.

“Natyra e punës për lëndë të caktuara është diametralisht e kundërt ngase një zyrtar i shërbimeve sociale nuk ka kapacitet që t’i kryejë në të njëjtën kohë të gjitha shërbimet me profesionalizëm të njëjtë. Avokati i Popullit vëren se numri i të punësuarve nëpër QPS nuk është i mbuluar me staf adekuat profesional që u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të personave që kërkojnë shërbime sociale”, thuhet tutje aty.

Tutje në komunikatë, Avokati i Popullit ka treguar edhe për përmirësime të tjera që duhet të bëhen për të dalë nga kjo gjendje.

“Avokati i Popullit pos tjerash e vlerëson si të domosdoshme ndarjen e hapësirave të veçanta për kontaktim mes prindërve dhe fëmijëve, të pajisura me mjete konkretizuese, si dhe pajisjen e shërbimeve sociale me vetura të mjaftueshme për vizita në familje, në monitorim, në inspektim dhe në parandalim, për pjesëmarrje nëpër takime pune dhe trajnime profesionale”, thuhet e aty.

Sipas Avokatit të Popullit ky rast është hapur sipas detyrës zyrtare me qëllim që ta vlerësojë nëse ofrimi i shërbimeve sociale në Republikën e Kosovës është në pajtim me standardet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ndërsa ky raport jep rekomandime specifike dhe konkrete lidhur me veprimet që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe komunat përkatëse, në drejtim të përmirësimit të gjendjes aktuale.