Foto KALLXO.com: Hilmi Jashari, Avokat i Popullit

Avokati i Popullit: Shtetasit turq u ekstraduan, nuk u dëbuan

Arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq para pak javësh, sipas Avokatit të Popullit është bërë duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Avokati I Popullit, Hilmi Jashari në intervistën e tij dhënë për emisionin  “Drejtësia në Kosovë”, ka deklaruar se mënyra si janë arrestuar dhe më pas deportuar gjashtë shtetasit turq jo vetëm që përbën shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, mirëpo sipas tij ka edhe elemente të veprave penale nga ana e zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, përfshirë edhe Policinë e Kosovës.

Jashari ka deklaruar se vlerësimet e raportit të Avokatit të Popullit ku janë konstatuar shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi tregojnë se në rastin e gjashtë shtetasve turq nuk janë respektuar asnjë prej standardeve që parashihen edhe me Kushtetutë edhe me ligjet në fuqi.

“Vlerësimet tona janë të fokusuara kryesisht në rrafshin e standardeve të drejtave të të njeriut që janë të zbatueshme në sistemin tonë juridik dhe kryesisht mbështeten në konventën europiane për të drejtat dhe liritë e njeriut, mbështeten në nenin 53 të kushtetutës së vendit, i cili thotë se institucionet e republikës së Kosovës janë të obliguar që kur të vendosin për liritë dhe të drejtët e njeriut të zbatojnë standardet e praktikës gjyqësore për të drejtat e njeriut. Dhe ky është fokusi i parë. I dyti në analizën tonë juridike i referohet ligjeve vendore që flasin për të huajt dhe për procedurat e ekstradimit. Dhe për të parë që nëse këto procedura janë në pajtueshmëri me këto standarde, apo këto ligje. Dhe përfundimisht pastaj për të vlerësuar nëse procedura e dëbimit dhe ato vendime që janë nxjerrë janë në pajtim me frymën e këtyre dy ligjeve në fuqi. Dhe definitivit përfundimi, ose konkludimin i Institucionit të Avokatit të Popullit se a ka pas shkelje në krejt këtë proces dhe nëse ka pas shkelje cilat janë ato shkelje”, ka deklaruar Jashari.

“Raporti ka identifikuar të gjitha këto, vlerësimet tona në raport konsistojnë në situatën e standardeve të të drejtave të njeriut dhe se a kanë qenë veprimet të autoriteteve publike në pajtueshmëri më këto standarde, përkatësisht me konventën evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut. Për ma saktë me nenin 53 të kushtetutës së vendit, sepse ky nen i obligon autoritetet vendore që çdo veprim ë ndërmarrin të jetë në pajtueshmëri me praktikën gjyqësore të gjykatës evropiane në Strasburg në rend të parë. Dhe pjesa e dytë e analizës i referohet dy ligjeve bazë, ligjit për të huajt dhe ligjit për procedurën e ekstradimit të personave, në rast se ata i janë nënshtruar një procesi të rregullt të ekstradimit”, ka thënë Avokati i Popullit.

Jashari ka thënë se asnjëra nga standardet e lartpërmendura nuk janë respektuar nga institucionet e Republikës së Kosovës gjatë ekstradimit të shtetasve turq. Ai ka thënë se neni 5 i Konventës Europiane për është detyrim për shtetin e Kosovës,  i cili sipas tij është shkelur dhe ky është gjithashtu konstatimi që Institucioni i Avokatit të Popullit e ka hënë në raportin për rastin e ekstradimit të gjashtë shtetasve turq.

“Jo nuk janë respektuar këto standarde ndërkombëtare. Bëhet fjalë për nenin 5 të Konventës Evropianë për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Nga momenti i Arrestimit, mënyra se si janë arrestuar. Pastaj e drejta e mjeteve juridike efektive që është përkatësisht neni 13 i Konventës Evropiane, ku ky nen gjithashtu është jetësuar me një dispozitë tjetër kushtetuese ne vendin tonë. pastaj bëhet fjalë për trajtimin e barabartë në situatë të njëjtë të këtyre personave. Prapë i referohemi standardeve ndërkombëtare, përkatësisht Konventës për të drejtat civile dhe politike. Pastaj bëhet analiza e dy ligjeve, ligjit për të huajt dhe ligjit për ekstradim. Në këto dy raste folim për ligjet vendore, vërehet se ka një shpërputhje shumë të madhe në të gjithë procesin që është ndërmarrë. Dhe raporti analizon këto situata me përfundimin që ka pasur të rënda, sepse mbi të gjitha, nëse të gjitha të tjerat i neglizhojmë si veprime procedurale mbi të gjitha neni 5 i Konventës Evropiane nuk të zhvleftësohet në asnjë mënyrë, sepse është një kriter jashtëzakonisht i fuqishëm, e cili thotë që ky nen nuk mund të abrogohet as në rrethana të jashtëzakonshme të një shteti, me fjalë të tjera as në rrethana lufte”, ka deklaruar Jashari në intervistën e tij dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.