Avokati i Popullit

Avokati i Popullit: Shqetësuese rritja e numrit të kërcënimeve e sulmeve ndaj gazetarëve

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Avokati i Popullit ka thënë se është shqetësuese rritja e numrit të kërcënimeve e sulmeve fizike ndaj gazetarëve.

Tutje Avokati i Popullit ka theksuar edhe pandëshkueshmërinë e personave të cilët kanë sulmuar, kërcënuar apo u kanë pamundësuar gazetarëve kryerjen e punës.

“Përkundër rasteve kur policia dhe prokuroria kanë kryer punën e tyre në identifikimin e kryesve të veprave kundrejt gazetarëve dhe i kanë proceduar tutje në organet e sistemit të drejtësisë, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen tek pandëshkueshmëria e rasteve kur gazetarët sulmohen, kërcënohen apo u pamundësohet kryerja e punës, gjë që ndikon në ambient të pasigurt për punën e mediave dhe tërthorazi e hap rrugën edhe për vetcensurën e gazetarëve dhe mediave”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Gjithashtu, ai ka përmendur edhe vështirësitë e vazhdueshme të gazetarëve për qasje në informacion dhe dokumente zyrtare, paraqesin shqetësim konsistent përgjatë viteve.

“Sot, kur shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, vendoset në fokus mirënjohja për gazetarët dhe punën e tyre, ashtu siç vlerësohet zëshëm roli i jashtëzakonshëm i mediave në shoqëritë demokratike”, thuhet në njoftim të Avokatit të Popullit.

Institucioni thotë se natyra e punës di t’i bëjë gazetarët shënjestër të kërcënimeve apo sulmeve, gjë që e vështirëson funksionimin efektiv të medias në shpërndarjen e informacionit.

“Sulmet verbale a fizike ndaj gazetarëve, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes dhe alarmojnë për brishtësinë e funksionimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend”, thuhet në njoftim.

Sipas tij, autoritetet kanë obligimin kushtetues të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e nevojshme për gazetarët, në përmbushjen e rolit të tyre, ashtu siç detyrohen për mosndërhyrje në punën e mediave, për transparencë dhe për lejim të qasjes në informacion dhe dokumente zyrtare, si komponenta thelbësore të realizmit të lirisë së medias, respektivisht lirisë së shprehjes dhe informimit.

“Duke e pasur parasysh ridefinimin e medias në epokën e internetit  dhe rrjeteve sociale dhe me mundësinë e secilit për t’u shndërruar në burim informate, Avokati i Popullit shfaq brengosjen për kërcënimet e linçimet publike për deklarime e për shprehje mendimi dhe i konsideron se këto paraqesin kërcënim për gëzimin e lirisë së shprehjes, brenda kufijve të garantuar të saj. Diskursi publik i zhvilluar veçmas muajve të fundit, e ka vështirësuar kultivimin e një kulture demokratike të ndërtimit të mendimit dhe ideve, nëpërmjet të cilave forcohet bazamenti i mbrojtjes dhe respektimit të drejtave dhe lirive tjera të garantuara”, vazhdon njoftimin avokati.

Avokati i Popullit ka bërë thirrje për rrjedhë të lirë të mendimit, fjalës dhe informacionit dhe për reflektim e mendjehapësi përballë mendimeve të shprehura ndryshe, duke i konsideruar ato vlerë thelbësore të demokracisë, si sistem të cilin Kosova e ka përqafuar si shtet.